Sindikatat kërkojnë formim urgjent të qeverisë së re: Punëtorët u goditën rëndë nga ngërçi politik gjatë vitit 2025

08:56 | 05 Janar 2026
Sindikatat kërkojnë formim urgjent të qeverisë së re: Punëtorët u goditën rëndë nga ngërçi politik gjatë vitit 2025

Punëtorët në sektorin privat dhe publik janë përballur me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve ekonomike dhe sociale gjatë vitit 2025-të, si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja dhe funksionimit të vendit me Qeveri në detyrë për gati një vit.

Përfaqësuesit sindikalë kërkojnë që Qeveria e ardhshme të veprojë menjëherë, duke vendosur në prioritet dialogun social, rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjeve të pazbatuara ndër vite.

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka deklaruar se punëtorët janë lënë pa mbrojtje institucionale dhe se premtimet e dhëna që nga viti 2021 nuk janë realizuar. Sipas tij, inflacioni ka përkeqësuar edhe më tej gjendjen ekonomike të punëtorëve të sektorit privat, duke i bërë ata më të varfër se kurrë më parë, ndërsa dialogu social ka munguar pothuajse tërësisht.

“Në radhë të parë dua të them që së pari deputetët që do të zgjidhen duhet të jenë qenie njerëzore e pastaj deputetë. Sepse ju e dini që në periudhën e kaluar jo që nuk kanë funksionuar si deputetë, por as si njerëz nuk kanë vepruar, sepse tejet ndërnjerëzore i kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë rëndë këta punëtorë. Kërkesat janë ato të vitit 2021 që i pati proklamuar kryeministri i Kosovës se do t’i bënte, duke u nisur nga marrëveshja kolektive, nga gjykata e punës, nga ligji mbi sigurimet dhe shëndetin, do të thotë që të gjitha dhe definitivisht nuk është realizuar asnjë. Çka po dëshmojmë ne që në fakt nga e kaluara nuk po na jep shumë shpresë. Dëshirojmë që në radhë të parë duhet të ketë dialog të sinqertë, pastaj duhet të punohet për të mirën e popullatës e në veçanti për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, të cilët me këtë inflacion që ka ndodhur neve vetëm sa na ka përkeqësuar gjendjen. Asnjëherë nuk kemi pasur punëtorë më të varfër sesa që kemi tash”, tha ai.

Azemi ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit mbi 200 mijë të punësuar, kryesisht nga sektori privat, kanë emigruar, duke e cilësuar situatën si alarmante. Ai ka ngritur shqetësimin edhe për moszbatimin e vendimit për pagën minimale, duke thënë se ka punëtorë që vazhdojnë të paguhen nën nivelin e miratuar, si dhe për vonesat e pagave në kompani publiko-private që financohen nga buxheti i shtetit.

“Për katër vite kemi mbi 200 mijë të punësuar, sidomos në sektorin privat, të ikur, andaj do të thotë nuk e di se ku mund të shkojë më keq. Gjendja është reale sepse ne vetëm sa po mund të mbijetojmë, përndryshe gjendja është jashtëzakonisht tepër e rëndë edhe sot, nëse ndalet, jemi në gjendje jashtëzakonisht shqetësuese. Me këto politika që janë duke i bërë si tërësi, realisht nuk shoh një përmirësim sepse tani deputetët janë mësuar me atë mendje të çoroditur që këta nuk japin llogari dhe nuk punojnë për ata që i zgjedhin, por punojnë për përfitime të tyre personale. Edhe sot kemi punëtorë që nuk po zbatohet vendimi i pagës minimale që është 350 euro, sot po marrin pagë 292 euro. Kemi punëtorë të sektorit privat që paguhen nga buxheti i shtetit, kompani publiko-private që me 3-4 muaj ditë nuk kanë marrë paga, shkaku i kokëfortësisë së njerëzve që i kemi brenda sistemit udhëheqës të shtetit”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, ka kërkuar që Qeveria e re të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së shërbyesve civilë. Ai ka theksuar se kërkesa kryesore mbetet rritja e koeficientit të pagave për 50 për qind, si dhe ndryshimi i ligjit të pagave dhe ligjit për zyrtarët publikë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kërkesa kryesore e jona është vlerësimi i koeficientit për 50 për qind, për arsye se ne besojmë fuqishëm që sektori shërbyes civil e meriton një pagë të dinjitetshme. Pastaj është të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit të pagave dhe ligjit të zyrtarëve publikë, për arsye se të dy ligjet, ligji i pagave kërkohet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që faktikisht ende nuk është bërë edhe pse kaloi një vit, por edhe ligji mbi zyrtarët publikë, pasi që ligji si i tillë i dëmton zyrtarët publikë. Kërkojmë urgjentisht të bëhet konstituimi i Këshillit Ekonomiko-Social, nënshkrimi i marrëveshjes së përgjithshme kolektive. Fillimi me implementimin e ligjit për sigurim shëndetësor. Kërkesë tjetër është që të hartohet një ligj që ka të bëjë me sigurimet shoqërore, për arsye se thjesht kemi raste kur shumë vdesin në vendet e punës apo nga sëmundjet profesionale dhe askush nuk kujdeset, mbesin në mëshirë të familjeve të tyre”, tha ai.

Gashi ka bërë thirrje për konstituimin urgjent të Këshillit Ekonomiko-Social, nënshkrimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive dhe fillimin e zbatimit të ligjit për sigurim shëndetësor. Ai ka theksuar edhe nevojën për hartimin e një ligji për sigurimet shoqërore, duke përmendur rastet e punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës apo nga sëmundjet profesionale, pa asnjë mbrojtje për familjet e tyre.

“Thirrja jonë është për partitë politike që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe mos të bëjnë siç kanë bërë, sepse atë që kanë bërë këta pasojat i bart vetëm populli, jo këta. Pasojat e kapriçove, inateve personale, interesave të tyre prodhojnë pasoja te të punësuarit në sektorin publik, te të punësuarit në sektorin privat dhe me theks të veçantë te krejt shoqëria. Të formohen në kohë rekord institucionet të cilat sa janë më qeveri në detyrë dhe si prioritet të jetë rritja e pagave në sektorin publik dhe të trajtohet komplet edhe sektori publik, edhe aspekti i skemave sociale, por edhe sektori privat”, tha ai./Ekonomia Online

Komento: