Sipas VV-së ky është suksesi i radhës: Vetëm 5 herë përmendet korrupsioni në rezolutën e PE-së

20:22 | 19 Korrik 2022

Suksesi i radhës sipas VV-së, vetëm 5 herë përmendet korrupsioni në rezolutën e PE-së.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se imazhi i Republikës së Kosovës është përmirësuar shumë me qeverinë e saj, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, VV ka zgjedhur Raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën për ta marrë si referencë për sukseset e saj, ku sipas saj, fjala korrupsion përmendet vetëm pesë herë.

“Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur imazh më të mirë që vjen si rezultat direkt i qasjes së re për të ndërruar kursin e qeverisjes me vendin. Lufta ndaj krimit e korrupsionit dhe demokratizimi institucional tashmë po evidentohen në çdo raport ndërkombëtar”.

Raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën thekson se Republika e Kosovës ka bërë përparim thelbësor në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë raport fjala “korrupsion” përmendët vetëm 5 herë dhe atë nën konotacionin pozitiv të luftës ndaj këtij fenomeni”, thuhet në këtë njoftim të partisë së Kurtit.

Ndryshe, në kohën kur VV-ja ishte në opozitë shpeshherë kritikonte qeveritë e partive të tjera që përkujdeseshin për imazhin e vendit, duke i këshilluar që të merren me çështje më përmbajtjesore.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga ministrja Donika Gërvalla, është kritikuar në vazhdimësi për huqjet e blofet e shpeshta si dhe për mungesën e rezultateve në përfaqësimin e Kosovës në Evropë dhe botë.

Komento: