Situata e rëndë energjetike, 10 pikat e LDK-së për zbutjen e krizësa

12:15 | 27 August 2022

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se reduktimet e energjisë që po ndodhin gjatë verës, janë një shenjë e qartë e një dimri të vështirë që do ta ketë Kosovës.

Tutje, Abdixhiku, ka propozuar një plan 10 pikësh për krizën energjetike, i cili do të ndihmojë qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Në planin e propozuar i pari i LDK-së njofton se përfshihet edhe heqja e TVSH-së për të gjitha faturat energjetike në Kosovë.

“Të dashur qytetarë, reduktimet e energjisë elektrike që po na ndodhin gjatë muajve të ngrohtë të verës janë shenjë e qartë e një dimri të vështirë që së bashku do ta kemi përpara. Përkundër paralajmërimeve tona të ngritura në vazhdimësi, qeveria e Kosovës është dëshmuar e pavullnetshme dhe e paaftë të veprojë në kohë. Ajo ka patur një vit të plotë për tu përgatitur për dimrin në vijim, por gjendja sot është e njëjtë si e një viti më parë. Prandaj ne kemi propozuar një plan 10 pikësh për krizën energjetike, plan që do të ndihmojë qytetarët tanë, familjet tona, bizneset e Kosovës, që të përballojmë më lehtë krizën e këtij viti. Plani bënë thirrje për paketë të re subvencionimi për çdo familje kosovare, ekzekutim të plotë të mjeteve të zotuara nga viti paraprak, rishikim të tarifave diskriminuese të tarifave të tanishme, kontrata afatgjata furnizimi, e heqje të TVSH-së në të gjitha faturat energjetike në Kosovë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai i ka kërkuar qeverisë që të asistojë familjet kosovare në sigurimin e përballueshëm të resurseve alternative të ngrohjes.

“Po ashtu nëpërmjet propozimit tonë, ne i kërkojmë qeverisë së Kosovës të asistojë familjet kosovare në sigurimin e përballueshëm të resurseve alternative të ngrohjes çmimi i të cilave pothuajse është trefishuar tashmë”, ka vijuar tutje kryetari i LDK-së.

Më tej, ai ka hedhur kritika në drejtim të qeverisë duke thënë se kjo e fundit është në gjumë, përderisa vendet e BE-se dhe rajonit kanë plane konkrete kursimi.

“Në fund, përderisa të gjitha vendet e BE-së dhe rajonit kanë plane konkrete kursimi, qeveria e Kosovës është ende në pushim”, ka thënë Abdixhiku.

Komento: