Situata me të reshurat, KEK-u hap përkohësisht rrugën Vodicë-Dardhishtë

17:26 | 07 Janar 2026
Situata me të reshurat, KEK-u hap përkohësisht rrugën Vodicë-Dardhishtë

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar qytetarët e Komunës së Obiliqit se, si pasojë e reshjeve të fundit dhe përmbytjeve të disa rrugëve lokale, ka lejuar hapjen për qarkullim të përkohshëm të rrugës Vodicë – Dardhishtë, e cila kalon përmes zonës së KEK-ut.

Në njoftimin e kësaj korporate thuhet se ky vendim është marrë me kërkesë zyrtare të Komunës së Obiliqit dhe është miratuar nga menaxhmenti i KEK-ut, siç thuhet, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe sigurimit të lëvizjes së qytetarëve deri në tejkalimin e kësaj gjendjeje emergjente. Rruga do të jetë e hapur vetëm përkohësisht, deri në normalizimin e situatës dhe rikthimin e kushteve të rregullta të qarkullimit.

“Për informim më të detajuar, në këtë postim është publikuar edhe harta orientuese, ku është e shënuar qartë rruga e lejuar për qarkullim. KEK Sh.A. falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe kërkon respektimin e udhëzimeve të sigurisë gjatë qarkullimit në këtë segment rrugor”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv

Komento: