Situata me zjarret, Kryetari i Pejës bën thirrje që mos të vizitohet kjo pjesë e Bjeshkëve të Rugovës

20:18 | 03 August 2021

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka bërë thirrje që të mos vizitohet Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit derisa gjendja me vatrat e zjarrit të vihet nën kontroll.

Peja është rajoni më i prekur nga vatrat e zjarrit, ndërkohë që vatra të zjarrit janë hapur në zonën e Rugovës, ndërsa sipas banorëve atje, këtë herë flakët janë në afërsi të shtëpive. Express ka tentuar të marrë informacione edhe nga policia për situatën me zjarret në Rugovë, por nuk janë përgjigjur.

Muhaxheri ka thënë se gjendja me zjarret po monitorohet nga ekipet e zjarrëfiksve, FSK-së, Policia e Kosovës dhe me njësinë e helikopterëve të KFOR-it.

“Situata me zjarret në vend, ashtu siç po ndodh edhe në shtete të tjera të botës për shkak të temperaturave të larta po vazhdon. Gjendja me zjarret po monitorohet nga ekipet e zjarrëfiksve, FSK-së, Policia e Kosovës dhe me njësinë e helikopterëve të KFOR-it. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht, prandaj lusim qytetarët mos ta frekuentojnë këtë zonë të Bjeshkëve të Rugovës (Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit) përveç zyrtarët e institucioneve kompetente.”, ka shkruar ai në facebook.

Komento: