
Kryeministri Albin Kurti ka thirrur mbrëmë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar tensionet e fundit në Lindjen e Mesme dhe operacionin “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Iranit.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi qëndrimin e qartë të institucioneve të Kosovës,
“Institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas tij, veprimet e SHBA-së kundër objektivave të regjimit në Iran janë të drejtuara drejt parandalimit të përshkallëzimeve dhe kufizimit të kapaciteteve destabilizuese në rajon.
“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon”, u shpreh Kurti.
Kosova gjithashtu shpreh solidaritet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre për liri dhe të drejta themelore.
“Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore”, ka deklaruar kryeministri.
Institucionet kosovare kanë marrë të gjitha masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, ndërsa monitorojnë nga afër zhvillimet ndërkombëtare dhe implikimet për rajonin.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë”, ka theksuar Kurti.
Kosova konfirmon angazhimin e saj si partner i besueshëm i komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë për paqe, siguri dhe stabilitet global. /Telegrafi/