Komandanti i trupave të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ka deklaruar se ngjarjet e fundit në Mitrovicën Veriore janë brengosëse sidomos tani në prag të zgjedhjeve.
Ai ka thënë se e gjithë puna që është bërë ndër vite në veri, rrezikon të humbet, derisa është shprehur këmbëngulës se nuk do të tolerojnë dhunën në veri të vendit.
“Detyra jonë e parë është sigurimi i lëvizjes së lirë në Kosovë. Jemi të pajisur për t’u ballafaquar me një situatë të tillë. Por, ne veprojmë në pajtim me situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke reaguar ndaj cilësdo situatë që e kemi përpara. Nuk e tolerojmë dhunën dhe pikë. Dhunën nuk mund ta tolerojmë dhe nuk do ta tolerojmë”, ka theksuar Ristuccia, në RTK Prime.
Komandanti i KFOR-it ka theksuar se kjo forcë ushtarake është e ndërtuar, e trajnuar dhe e pajisur me forca të mjaftueshme njerëzore për të kryer secilin lloj detyrimi brenda mandatit të tij.
“Sigurisht nëse situata përkeqësohet mund të llogarisim në mbështetjen e të gjithë NATO-s dhe 27 shteteve anëtare. Që nga viti 1999 KFOR-i ka pasur mbi 50 mijë forca njerëzore, ndërsa tani me progres të situatës numri i ushtarëve është ulur për aq sa siguria është përmirësuar. Besoj se kemi forca dhe pajisje të mjaftueshme për t’u ballafaquar me çdo situatë. NATO-ja ka ngritur prezencën tonë në terren dhe jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo situatë nëse ka nevojë edhe me forca shtesë, por për momentin nuk mendojmë se ekzistojnë kushtet e tilla”, ka shtuar Ristuccia.