Situata në veri, Osmani takohet me institucionet e sigurisë: Vendimi për zgjedhjet çështje ditësh

14:51 | 08 Dhjetor 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme do të ketë takim me institucionet e sigurisë në vend për të diskutuar rreth zhvillimeve në veri.

Osmani para mediave foli për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, teksa tha se fillimisht për këtë çështje presin të marrin një vlerësim nga institucionet e sigurisë.

Por presidentja tha se marrja e këtij vendimi është çështje ditësh.

Presidentja ka folur edhe për hapat që mund të çojnë deri te vendimi për shtyerje të zgjedhjeve.

“Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë dhe në momentin që do ta marr raportin e plotë do ta kemi një pasqyrë më të qartë çështjes së zgjedhjeve në veri. Si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohet në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike”, tha Osmani para mediave.

Kujtojmë se kërcënimet, incidente me granata dore, e shpërthime të tjera karakterizuan veriun e Kosovës edhe gjatë ditës së djeshme, si tentativë për ta parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, njëmbëdhjetë ditë para 18 dhjetorit.

Dy sulme me shok-bomba ndodhën në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Kosovës edhe mbrëmë.

Shpërthimet kanë ndodhur më saktësisht afër objektit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tek Lagjja e Boshnjakëve.

Nga Policia e Kosovës konfirmuan se këto sulme s’ka të lënduar e as dëme materiale.

Sulmeve të djeshme, i paraprinë ato të një dite më parë, ku incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Sulmet ndodhën në ditën kur zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor shkuan në veri për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

Incidentet në veri, i konsideroi alarmante edhe ShBA-ja. Sipas ambasadorit Hovenier, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuar për faktin se aktualisht, mungojnë kushtet e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

Komento: