
Situata e krijuar nga vërshimet në disa komuna të Kosovës është serioze dhe kërkon veprim të menjëhershëm institucional.
Kështu ka deklaruar Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke bërë të ditur se ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të prekura nga vërshimet.
Sipas tij, dëmet e raportuara nga Gjakova, Drenasi, Malisheva, Deçani, Suhareka, Rahoveci, Klina, Juniku dhe komuna të tjera janë të konsiderueshme, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe për infrastrukturën publike. Situata më alarmante, sipas Ibrahimit, është në komunën e Malishevës, konkretisht në lumin Mirusha, ku diga ndodhet në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz për qytetarët.
AKK ka kërkuar themelimin e menjëhershëm të një Fondi Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore, si dhe eliminimin e burokracisë në procesin e kompensimit të dëmeve. Ibrahimi theksoi se, megjithëse komunat kanë intervenuar me mjete vetanake, qytetarët dhe bizneset ende nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e viteve të kaluara.
Ai përmendi rastin e Drenasit, ku shtatë ura të dëmtuara nga reshjet para disa vitesh ende nuk janë sanuar, duke e cilësuar këtë gjendje si të papranueshme. Sipas tij, vendimet e miratuara nga kuvendet komunale mbi bazën e vlerësimeve profesionale duhet të ekzekutohen nga niveli qendror, në mënyrë që dëmet të mos mbesin të pakompensuara për vite me radhë.