Situatë dramatike në Barcelonë pas disfatës së djeshme

12:37 | 17 July 2020

Dje, Barcelona është mposhtur nga Osasuna me rezultat 1:2.

Gazeta spanjolle AS shkruan se presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, do të duhet të vendosë për të ardhmen e Quique Setienit, pas komenteve të së enjtes të Lionel Messit, të cilat i theksuan mospajtimet mes Messit dhe Setien.

Ditët e Quique Setien në postin e trajnerit të Barcelonës janë të numëruara. Kështu ishin edhe para disfatës të së enjten në shtëpi kundër Osasunas, e cila tani ia ka vështirësuar trajnerit pozitën, shkruan AS, transmeton Express.

Megjithatë, raportohej se Setien do ta drejtonte Barcelonën të paktën deri në fund të këtij sezoni, pas Ligës së Kampionëve që zhvillohet në gusht. Por, komentet e Messit të enjten, pasi Real Madridi e fitoi titullin e La Ligës, tanë e kanë vendosur klubin mes dy zjarresh.

Vetë Setien u shpreh i pasigurt nëse do ta drejtojë Barcelonën në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke thënë se kjo mundësi do t’i pëlqente por se nuk është i sigurt.

Messi kundërshton Setienin në gjasat për titullin e Ligës së Kampionëve – sërish

Ndërkohë, pasi kishte thënë në maj se Barcelona nuk mund ta fitojë Ligën e Kampionëve me skuadrën që e ka, Setien e kishte kundërshtuar publikisht Messin. Por, ky i fundit e përsëriti këtë gjë sërish të enjten.

“Kam thënë para një kohë që nëse vazhdojmë të luajmë kështu si po luajmë, do ta kemi shumë të vështirë ta fitojmë Ligën e Kampionëve dhe nuk e kemi pasur lehtë as në La Liga. Nëse nuk ndryshojmë, s’do ta kalojmë Napolin”, tha Messi.

E përderisa Setien vetë tentoi t’i bindë tifozët duke thënë se paraqitjet e Barcelonës janë përmirësuar, Messi tha: “Ne nuk donim që sezoni të përfundonte kështu, por kjo e përfaqëson mënyrën se si na ka shkuar i gjithë sezoni. Ishim një skuadër e hallakatur, shumë e dobët dhe me intensitet të ulët. Kemi humbur shumë pikë dhe ndeshja e sotshme e tregon rrjedhën e sezonit”.

“Ne duhet të jemi vetëkritikë. Duke filluar nga lojtarët dhe duke e bërë një vetëkritikë globale. Ne jemi Barcelona dhe duhet të fitojmë gjithçka. Nuk mund ta shikojmë Real Madridin. Real Madridi e ka punën e vet, por ne i ndihmuam”.

Messi ndërpret negociatat për rinovim kontrate

E gjitha kjo vjen vetëm dy javë pasi radiostacioni spanjoll Cadena Ser raportoi se Messi i ka ndërprerë negociatat për rinovimin e kontratës së tij, e cila skadon gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Bartomeu, mes dy zjarresh

Tani, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, do të duhet të vendosë se cilin zjarr do ta fikë. Drejtuesit e klubit ose duhet ta mbështesin trajnerin, i cili raportohet se nuk e ka mbështetjen e lojtarëve, ose ta përkrahin Messin dhe ta kërkojnë një trajner të ri sërish, vetëm shtatë muaj pasi e shkarkuan Ernesto Valverden.

Komento: