Çmimi i vajit sivjet arriti kulmin, si ndryshoi çmimi i këtij produkti esencial ndër vite.
Çmimi i vajit sivjet ka shkuar në “stratosferë”. Nga 1 euro e 54 centë sa kushtonte vjet, tash s’mund të gjesh vaj ndër 2 euro. Gjatë marsit, u shit edhe më shtrenjtë. Çmimi ka ndryshuar sërish, e mund ndryshojë prapë.
Për çdo vit, çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë kanë shkuar duke u shtrenjtuar. Por, sivjet janë cilësuar si të papërballuesme nga qytetarët.
Kulmin e çmimit, këtë vit e arriti vaji ushqimor. Kaq shtrenjtë s’mbahet mend të jetë shitur.
Gjatë një dite të marsit, një litër vaj u shit deri në 3 euro e 49 centë. Ky çmim u vendos nga disa markete, që vendosën ta shfrytëzojnë panikën e qytetarëve pas luftës në Ukrainë, duke e rritur çmimin brenda orës.
Çmimin e rritën me arsyetimin se ka mungesë, por që dyshimet janë se shishet i largonin vetë nga raftet e i dërgonin në depo, për të krijuar bindjen se s’ka vaj.
Çmimi u ul në mbrëmje vetëm pas ndërhyrjes së Policisë dhe Inspektoratit, duke rënë në 2 euro e 20 centë.
Ky çmim ka ndryshuar sërish. Konsumatorët janë ankuar nëpër rrjete sociale se çmimi është rritur në 2 euro e 99 centë.
Krahasuar me mbi para një dekade, çmimi pothuajse është dysfishuar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2010, një litër vaj mund ta bleje me 1 euro e 22 centë.
Nëntë vite më pas, çmimi ishte edhe më i lirë. Një shishe vaj kushtonte 1 euro e 2 cent. Në 2020’ën, çmimi i vajit ishte 1 euro e 6 centë, derisa në 2021’ën 1 euro e 54 centë.
Dy vendet ku Kosova blente vaj e ndalin eksportin
Dy shtetet prej të cilave vendi importon vaj më së shumti, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë vendosur ta pezullojnë eksportin e këtij produkti.
Një vendim i tillë vjen pikërisht në një kohë kur Kosova po përballet me mungesë të këtij produkti në rezerva shtetërore.
Se ka mungesë të këtij produkti e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, para gati një jave.
“Sa i përket rezervave të miellit, nuk jemi keq. Kemi mangësi sa i përket vajit të ushqimit. Vaji i lulediellit, lënda e parë e të cilit ka ardhur në masë të madhe nga Ukraina është brengë edhe për vendin tonë në javët e muajt në vijim. Por në raport me furnizimet që i bën në Evropë Federata Ruse, ne nuk jemi të prekur sepse edhe ashtu s’kemi pasur furnizim prej tyre as ndonjë shkëmbim tregtar”, është shprehur Kurti.
Bazuar në statistikat që Gazeta Express ka siguruar nga Dogana e Kosovës, vetëm këtë vit, nga këto dy shtete është importuar vaj luledielli në vlerë mbi 5 milionë e 300 mijë euro.
E vjet, vlera e importit të vajit nga Serbia e Maqedonia e Veriut ka qenë gati 20 milionë.
Kosova edhe e eksporton te to një sasi të vajit. Krahasuar me atë të importit, shumë më e vogël.
Bazuar në të dhënat e Doganës, këtë vit në Maqedoni të Veriut dhe Serbi, është eksportuar vaj në vlerë rreth 100 mijë euro.
Prej cilave shtete mund ta sigurojë importin që i nevojitet?
Vajin që deri tash e importonte nga këto shtete, Kosova mund ta zëvendësojë me importin nga shtetet e tjera prej të cilave blen vaj.
Viteve të fundit importi i këtij produkti është realizuar edhe nga Bullgaria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Greqia, Hungaria, Austria e Italia.