Sivjet nuk rishikohet buxheti, kritikohet qeveria

22:09 | 27 July 2019

Buxheti s’rishikohet as sivjet, kritikohet qeveria.

Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, buxheti i shtetit nuk do të rishikohet, siç ka qenë praktikë më herët.

Zyrtarët e Qeverisë thonë se ka planifikim të mirë buxhetor, andaj edhe s’ka arsye për rishikim.

Ndërsa njohësit e zhvillimeve politike, e kritikojnë qeverinë, duke thënë se po e bën për ta ndarë buxhetin sipas dëshirave të saj.

Opozita, ndërkaq vlerëson se qeveria në dorëheqje nuk ka legjitimitet për ta rishikuar buxhetin.

As këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit të Kosovës. Madje, zyrtarët e Qeverisë, e shohin këtë si lajm të mirë.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, thotë se janë dy arsye pse nuk do të ketë rishikim të buxhetit, e para është se buxheti është i planifikuar mirë dhe e dyta se buxheti ka hyrë në fuqi me 1 mars dhe është periudhë e shkurtër për t’u rishikuar.

“Është viti i dytë që ne nuk do të bëjmë rishikim dhe gradualisht jemi të lumtur se edhe ne po kalojmë në stadin e shteteve të zhvilluara, ku ato nuk i nënshtrohen çdo gjashtë muaj rishikimit, mirëpo, rishikimit i nënshtrohen në periudha dy apo trevjeçare”, tha Rafuna në një intervistë për Radio Kosovën.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Lumir Abdixhiku, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, ndërsa anëtarja nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë se tashmë qeveria në dorëheqje nuk ka bazë ligjore ta rishikojë buxhetin, pasi që me dorëheqjen e Haradinajt, sipas saj, ka rënë edhe qeveria. Por, gjithsesi, Nagavci është kritike për praktikën që mos të rishikohet buxheti, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar.

“Mungesa e rishikimit të buxhetit, veçse e tregon joseriozitetin e kësaj qeverie”, tha Nagavci për Radio Kosovën.

E për analistin politik, Imer Mushkolaj mosrishikimi i buxhetit nga qeveria Haradinaj është vazhdimësi e mosdisiplinës financiare, e cila sipas tij, e ka karakterizuar këtë qeveri gjatë gjithë mandatit.

“Mosrishikimin e buxhetit në bazë të afateve të përcaktuara, unë e shoh si rrjedhojë të kësaj qasje totalisht joinstitucionale dhe mos të them e paligjshme, pasi që me siguri mbështetet në rregullativë të caktuar ligjore, por shfrytëzim i mundësive që me çdio kusht të provohet që buxheti të shpërndahet sipas preferencave partiake dhe jo domosdoshmërish të bëhet rishikimi bazuar në ligjin përkatës”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, sipas këshilltarit të ministrit të Financave, ligji e mundëson që ato organizata që kanë nevojë për rialokim apo ndonjë rirregullim, në tre mujorin e vitit të fundit, ministri i Financave, të propozojë në qeveri që të bëjë një rirregullim të shumave mbi bazën e kërkesave të organizatave buxhetore. Deri më tani, sipas Rafunës, nuk ka pasur një kërkesë të tillë.

Komento: