S’ka liberalizim të vizave as këtë vit!

12:21 | 11 Tetor 2020

“Vështirë që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë në agjendë të BE-së sivjet”.

Heqja e vizave për kosovarët vështirë se do të jetë sivjet në agjendë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Kosova fillimisht duhet t’i përmbushë obligimet e marra, ka thënë drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha.

Ai shprehet pesimist se gjatë këtij viti do të mund të ketë progres në këtë drejtim.

“Konsideroj se Kosova sa i përket liberalizimit të vizave duhet fillimisht t’i përfundojë detyrat e veta të shtëpisë. E më pastaj ne të bëjmë lobimin e nevojshëm te disa vende anëtare të cilat janë ende skeptike sa i përket liberalizimit të vizave. Sa i përket vitit 2020 ka mbetur edhe shumë pak kohë që Kosova dhe çështja e liberalizmit të vizave të futet në rend dite të punës të institucioneve të BE-së për vitin 2020. Prandaj duhet të jemi pesimist që gjatë vitit 2020 do ketë ndonjë progres të ndjeshëm sa i përket liberalizmit të vizave”, ka deklaruar ndër tjerash ai për EO.

Shasha thotë se janë katër pengesa kryesore sa i përket liberalizimit të vizave, duke përmendur luftimin e krimit e korrupsionit, por edhe skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE-së.

Kurse deputetja e PDK-së, ish-kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Blerta Deliu-Kodra, thotë se për këtë dyshim të shteteve që fillimisht ishin pro heqjes së vizave do të kërkojnë sqarime nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Komento: