S’ka oksigjen në Gjilan, pacientët transferohen në Prishtinë

17:20 | 07 December 2020

Dy pacientë të infektuar me virusin Covid-19, të cilët kanë qenë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit janë transferuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Familjarë të pacientëve atje janë ankuar se nuk po ka oksigjen për trajtimin e të infektuarve me Covid, e këtë e kanë konfirmuar drejtori i spitalit. Ndonëse ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të premten nuk i jepte gjasa mungesës së oksigjenit nëpër spitalet e Kosovës, diçka e tillë po ndodh në Gjilan.

Një qytetarë nga Komuna e Gjilanit është ankuar se në Spitalin e Gjilanit ka mungesë të oksigjenit, duke shprehur shqetësim për një familjar të tijin që e ka të shtrirë në këtë spital. Në mungesë të oksigjenit ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar që pacienten ta dërgojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, raporton Gazeta Express.

Ndërsa, Ukshin Ismajli, drejtor klinik në këtë spital ka thënë për Express se ka pasur dhe vazhdon të ketë vështirësi në furnizimin me oksigjen. Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme dy pacientë nga ky spital janë dërguar në QKUK për shkak të vështirësive në furnizim me oksigjen. “Ka pasur dhe ka probleme me furnizim me oksigjen. Dy pacientë janë dërguar sot në QKUK për shkak të oksigjenit”, ka thënë ai.

Mungesën e oksigjenit në këtë spital e kanë ngritur disa herë nga kjo komunë, nga e cila kanë kërkuar edhe furnizim urgjent me të. Ditë më parë nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli bëri të ditur se Spitali i Përgjithshëm ka nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen, duke shtuar se po bëhet përpjekje maksimale për ta zgjidhur këtë problem.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë ditë më parë për Express se furnizimi me oksigjen nuk është në kompetencë të tyre, kështu edhe nuk kanë pranuar të prononcohen nëse do t’i dalin në ndihme institucioneve publike shëndetësore në vend.

Përndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë një konference për media të mbajtur të premten e ka mohuar se ka mungesë të oksigjenit.

Ai ka bërë thirrje për mos krijimin e panikës te qytetarët, duke thënë se ka mjaftueshëm oksigjen në spitale.

“Oksigjeni është elementar, andaj edhe ka mjaftueshëm në objektet spitalore. Gjithashtu do të ndërtohen edhe tanket e tjera të reja, të cilat do të shtojnë rreth 20 mijë litra të tjera të oksigjenit”, kishte deklaruar ministri.

Komento: