‘S’ka pajtim mes tyre’, Vjosa Osmani dhe Edi Rama mbajnë distancën edhe në Pragë

22:10 | 06 October 2022

Dy liderët shqiptarë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Edi Rama, vazhdojnë ta mbajnë distancën me njëri-tjetrin edhe kur janë tejet afër njëri-tjetrit.

Në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë, Osmani dhe Rama sot kanë zhvilluar dhjetëra takime me homologë e liderë nga anembanë bota, nga të cilat kanë publikuar edhe fotografi.

Mirëpo, një fotografi e një takimi Osmani-Rama nuk është parë nga ambientet ku po mbahet samiti. Së bashku janë parë vetëm në fotografinë e përbashkët të të gjithë liderëve, ku me siguri, nuk kanë mundur ta evitojnë njëri tjetrin.

Të dy liderët kanë publikuar dhjetëra fotografi nga takimet e zhvilluara sot.

Raportet mes Vjosa Osmani dhe Edi Ramës u ashpërsuan edhe më shumë pas deklaratave të fundit akuzuese të presidentes së Kosovës ndaj kryeministrit shqiptar, duke e akuzuar atë se po i shpëton fytyrën Serbisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Osmani kishte treguar dallimet me Ramën.

“Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”, kishte deklaruar ajo.

Këtyre akuzave, kryeministri shqiptar iu përgjigj me një fushatë mediale në Shqipëri, për të cilën raportoi Gazeta Express.

Për raportet mes Edi Ramës dhe Vjosa Osmanit, po diskutohet edhe në emisionin Pressing të T7, që po shfaqet drejtpërdrejtë edhe në Youtube.

Analistët Valon Syla dhe Ilir Mirena e kanë kritikuar presidenten kosovare për qasjen e saj ndaj kryeministrit shqiptar Rama. Mirena ka thënë se Osmani e ka të pamundur ta tejkalojë përplasjen me Ramën, duke shtuar se kryeminsitri Albin Kurti, përkundër përplasjeve, e takon dhe diskuton me kryeministrin shqiptar.

Komento: