Reshjet e dendura shkaktojnë vërshime të reja në Gjermani.
Gjermania përsëri është përballur me stuhi dhe reshje të dendura, sidomos në rajonin juglindor të Bavarisë të hënën në mbrëmje. Ekipet e emergjencës u desh të ndërhynin në disa raste.
Autoritetet lokale në Bavari njoftuan se rreth 70 litra shi për metër katror ranë brenda një ore në qytezën Sonthofen. Shërbimi Gjerman i Motit tashmë kishte paralajmëruar për stuhi në Bavari, por kishte parashikuar më së shumti 40 litra shi për metër katror.
Hekurudha mes qytetit Rosenheim dhe Salzburgut të Austrisë u mbyll përkohësisht për shkak të drunjve të rrëzuar mbi binarë. Hekurudha u rihap më vonë, por pati vonesa në nisjen e trenave, shkruan Der Spiegel, transmeton Express.
Zyra rajonale njoftoi se mbi një mijë punëtorë janë dërguar në Rosenheim për ta larguar ujin me pompa nga një rrjedhë e stërngarkuar.
Në Rastatt të rajonit jugperëndimor, Baden-Ëuerttemberg, një dru u rrëzua gjatë stuhisë dhe la të lënduar katër persona. Njëri prej tyre është në gjendje serioze.
Autoritetet u detyruan që të ndërhynin edhe në pjesën veriore të Gjermanisë. Në Kiel, brigada e zjarrfikësve raportoi për më shumë se një mijë ndërhyre gjatë mbrëmjes. Disa bodrume raportohet se janë mbushur me ujë pas reshjeve të dendura./Gazeta Express