Roma goditet nga tërmeti.
Një tërmet me fuqi prej 3.3 shkallësh të Rihterit e goditi Romën të hënën në mëngjes, në kohën kur qyteti sapo i është kthyer jetës normale pas izolimit të gjatë shkaku i pandemisë.
Tërmeti u regjistrua në orën 5 e 3 minuta të mëngjesit dhe epiqendra e tij ishte në Fonte Nuova, një qytezë e vogël rreth 16 kilometra larg kryeqytetit italian.
Zjarrfikësit thanë se kanë marrë disa thirrje nga njerëzit që dridhja ua kishte nxjerrë gjumin, por nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme materiale, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Roma nuk shtrihet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, por tërmetet më të fuqishme që kanë ndodhur në rajonet përreth saj shpesh janë ndier edhe në qytet.
Në vitin 2016, një tërmet prej 6.2 shkallësh kishte ndodhur në rajonin Umbria, në Italinë qendrore, duke lënë të vdekur 299 persona dhe duke lënduar qindra të tjerë.
Italia është njëra ndër vendet evropiane me aktivitetin më të lartë sizmik dhe në të ndodhen tre vullkanet e vetme aktive të Evropës – Etna, Stromboli dhe Vesuvius.