Ministria e Brendshme gjermane nuk jep shpresa për vizat.
Pritjet që kosovarët mund të marrin një lajm të mirë për vizat për Krishtlindje duhet të merren me rezerva. Delegacioni gjerman që qëndroi dy ditë në Kosovë ka biseduar me nikoqirët për luftën kundër krimin e organizuar dhe korrupsionin, dy kushte që zyrtarisht nga evropianët thuhet se po e mbajnë vendin larg lëvizjen e lirë. Ministria e Brendshme e Gjermanisë në një përgjigje për Gazetën Express ka folur për takimet në Kosovë por s’kanë dhënë shpresa për heqjen e vizave.
Qeveria në detyrë e Kosovës, vetëm pas përfundimit të vizitës dy ditore të delegacionit gjerman, njoftuan për takimet që patën me ta.
Madje, këtë vizitë të cilën e klasifikojnë shumë të rëndësishme për procesin e vizave e mbajtën të fshehur për media, ani pse nga Ministria Federale për Punë të Brendshme e Gjermanisë e konfirmuan ditë më parë për Express.
Në mëngjesin e ditës së sotme, përmes një komunikate për media u tha se një delegacion nga Gjermania, përkatësisht nga Ministria Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe, ka qëndruar në vend, derisa është diskutuar për çështjen e vizave.
“Takimet e 26 dhe 27 nëntorit në Prishtinë, kanë shtjelluar temat dhe aspektet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimin e kufijve dhe migrimit, derisa zyrtarët kosovarë kanë paraqitur para delegacionit të gjitha procedurat dhe të arriturat e Kosovës, në temat të cilat lidhen me këtë proces”, shkruhet në komunikatën e qeverisë në detyrë.
Liderëve të vendit po u përmenden krimi i organizuar e korrupsioni, edhe nga vendi i vetëm që po i përkrahë fuqishëm për liberalizim të vizave.
Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Brendshme gjermane ka bërë të ditur se me homologët e tyre kosovarë, nga ky institucion kanë diskutuar në nivel teknik, për çështje që lidhen me harmonizimin për procesin e vizave. Tutje, bëhet e ditur se në takim është folur për të arriturat e vendit deri më tani, lidhur me këto tema.
“Këtë javë, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e Ministrisë Federale të Brendshme Gjermane zhvilluan një takim në nivelin teknik për çështje që lidhen me harmonizimin e procesit të vizave në kuadrin e BE-së. Pas një raundi të parë bisedimesh në qershor të këtij viti, takimi në 26-27 nëntor u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe preku tema të tilla si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimin e kufijve dhe migracionin. Ekspertët diskutuan objektivat e përbashkëta si dhe përparimin e arritur deri më tani nga institucionet kosovare”, kanë bërë të ditur për Gazetën Express nga Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë.
Të pyetur nga Gazeta, gjermanët nuk kanë konfirmuar nëse Kosova ka përmbushur të gjitha kriterët e nevojshëm për të lëvizur lirë. Madje, ashtu sic kishin pritur insitucionet e vendit, Kosova me gjasë nuk do të hyjë as në nivel të diskutimit të Ministrave këtë dhjetor.
Gazeta më 22 nëntor ka raportuar se në ditët e fundit të punës së Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vend do të qëndrojnë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, të cilët do të takohen me homologët e tyre kosovarë për të diskutuar për vizat.
Kujtojmë se zyrtarë të Këshillit të BE-së, kanë bërë të ditur ditë më parë për Express se nuk e dinë se kur kjo çështja e Kosovës mund të kalojë në nivel ministror. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është parashikuar as në rendin e ditës në mbledhjen që do të zhvillohet më datë 2-3 dhjetor.
“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit. Nuk mund të spekuloj se kur mund të sillet në nivelin ministror ose kur mund të merret një vendim. Megjithatë mund të konfirmoj se kjo temë nuk është parashikuar në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme që do të zhvillohet në 2-3 Dhjetor”, kanë bërë të ditur zyrtarë të Këshillit të BE-së.