‘S’ka zgjidhje tjetër, Serbia duhet ta njoh Kosovën’

08:37 | 09 March 2019

Vesna Pusiq thotë se s’ka zgjidhje tjetër, Serbia duhet ta njoh Kosovën.

Zgjidhja që duhet kërkuar në dialogun e Brukselit është që pushteti në Serbi ta njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Kështu thotë Vesna Pusiq, ish-ministre e Jashtme e Kroacisë, tani deputete dhe anëtare e komisioneve parlamentare që merren me çështje të jashtme dhe evropiane.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ajo është shprehur kritike ndaj ideve që e shohin shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje, ndërsa paralajmëron se një shkëmbim i mundshëm i popullatës nuk do të ishte asgjë tjetër veçse spastrim etnik.

Ajo ka paralajmëruar po ashtu se një marrëveshje e tillë në Bruksel do të rrezikonte edhe Bosnjë-Hercegovinën, e edhe Maqedoninë Veriore, dhe kjo do t’i jepte fund paqes në gjithë rajonin e Ballkanit.

Pusiq, e cila pak kohë më parë ishte për vizitë në Kosovë si pjesë e një delegacioni parlamentar kroat, foli edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve, për të cilat tha se janë të shkëlqyeshme, por vetëm në nivel deklarativ.

Komento: