Skadimi i kontratës, Mensa e studentëve do të përgatisë shujtat për ushtarët e FSK-së

20:58 | 30 Shtator 2024
skadimi-i-kontrates,-mensa-e-studenteve-do-te-pergatise-shujtat-per-ushtaret-e-fsk-se

Për të mos i lënë ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pa ushqim, shteti është detyruar të gjejë zgjidhje të përkohshme për përgatitjen e ushqimit.

Improvizimi është bërë duke angazhuar punëtorët e Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazermat për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.

Sipas një dokumenti që e ka siguruar Dukagjini, e që u është shpërndarë departamenteve brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ky dikaster do të sigurojë transportin e tyre.

Aty përgjegjësia për transport të këtyre punëtorëve në kazermat e FSK-së u është dhënë katër njësiteve.

Të merren masat të bëjnë transportin e personalit të Menzës së Studentëve që pritet të angazhohen për përgatitje të ushqimit, nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë deri në kazermat e FSK-së. Transporti i personelit bëhet duke filluar nga data 01.10.2024 deri në njoftimin e radhës”, thuhet në vendim, ku shtohet se këto njësite do ta kenë edhe obligimin që personelin e Mensës ta drejtojnë për angazhim dhe përgatitje të ushqimit.

Drejtori i Qendrës së Studentëve e ka konfirmuar lajmin por nuk ka sqaruar se si janë ndarë këta punëtorë që do të angazhohen në ushtri, e që sipas tij kjo është bërë në mënyrë vullnetare.
Ekrem Rudari, Drejtor i Qendrës së Studentëve deklaroi se “Disa prej punëtorëve kanë me shku vullnetarisht me i asistu disave, me ju ndihmu nëse ka nevojë se edhe i kemi borxh na shtetit tonë me i ndihmu”

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci javën e kaluar pranoi në një intervistë për Dukagjinin se ka pas probleme me tenderin për furnizim me ushqim në FSK.

Ai tha se ka pasur vendime e edhe anulime të tyre, duke aluduar në vendimin e zëvendësit të tij, Shemsi Syla që ky tender të shpallet sekret shtetëror.

Maqedonci tha se tenderin për ushqimin e ka fituar një kompani por nuk është nënshkruar dhe se tenderi është në auditim të brendshëm të Ministrisë.

 

Komento: