Skandal: AQP bën “krim” me tenderin e naftës, shpërblen më të shtrenjtit për 2.7 milionë euro

13:05 | 30 January 2019

Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), është treguar ‘dorë lirë’ me parat e shtetit në tenderin “Furnizim me Karburante (benzin dizel)”.

Ky institucion publik ka shpërblyer me këtë tender kompaninë HIB Petrol dhe Petrol Company, ani pse që të dy kompanitë janë më të shtrenjta për afër 2.7 milionë euro në krahasim me kompaninë më të lirë ofertuese.

ORAinfo posedon ofertat e kompanive konkurruese në këtë tender dhe skandali në të qëndron se dallimi në mes kompanisë më të lirë ofertuese dhe atyre fituese është tejet i lartë.

HIB Petrol ka fituar tenderin me një çmim prej 18 milionë eurosh dhe Petrol Company me çmim prej 13 milionë eurosh.
Të dy kompanitë fituese kanë pasur ofertën financiare pothuajse identike, me një dallim shumë të vogël në çmim.

HIB Petrol ka ofertuar me çmim prej 0.093 centë Premium për një litër, ndërkaq Petrol Company me çmim prej 0.0909 centë.

Oferta e HIB Petrol

Oferta e Petrol Company

Por, nga ky tender është rrëzuar Al Petrol edhe pse ka qenë dukshëm më i lirë.

AL Petrol ka ofertuar me çmim prej 0.0001 cent Premium për një litër.

Oferta e AL Petrol

E, e nëse përllogaritët vlera e sasisë së furnizimit të derviateve të naftës që është rreth 30 milionë litra, Premiumi për litër i dy kompanive fituese arrin në rreth 2.7 milionë euro, ndërkaq oferta e kompanisë më të lirë AL Petrol, në vetëm 3 mijë euro, e që i bie se buxheti i shtetit do të dëmtohet përreth 2.7 milionë euro.

AQP hesht

E në lidhe me këtë skandal nuk kanë dashur të flasin në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, e cila kishte udhëhequr procedurat e prokurimit.

Ata nuk kanë dhënë asnjë shpjegim se pse janë eliminuar nga gara kompanitë më të lira.

“Aktiviteti i prokurimit është në OSHP”, kanë thënë në AQP në një përgjigje të shkurt për ORAinfo.

E së lënda ka shkuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që ndryshe njihet si ‘gjykata e tenderëve’, e kanë konfirmuar edhe kompanitë ankuese të cilat kanë ofertuar me çmim më të ulët.

Por, në OSHP nuk i janë përgjigjur pyetjeve të ORAinfo se a kanë filluar ende shqyrtimin e kësaj lënde.

Dhe, pa u kryer lënda në OSHP tenderi për këtë aktivitet të prokurimit nuk mund të nënshkruhet nga ana e AQP-së.

Kompania fituese nuk ka informata për procesin e vlerësimit nga AQP

Në anën tjetër në kompaninë fituese të këtij tenderi, Petrol Company, thonë se nuk kanë informata për procesin e vlerësimit të AQP-së.

“.. prandaj nuk kemi informata pse janë eliminuar kompanitë e tjera”, kanë thënë nga Petrol Company për ORAinfo.
Por, sipas tyre, në vlerësimin e tenderëve nuk bënë pjesë vetëm oferta financiare.

“Në vlerësimin e tenderit, vlerësimi financiar bëhet pasi të eliminohen ofertat jo valide, prandaj nëse ofertat tjera të këtij tenderi gjatë vlerësimit në AQP kanë qenë jo valide dhe përderisa oferta jonë është valide, nuk ekziston bazë ligjore për anulim dhe nëse ka tendenca të tilla, Petrol Company sh.p.k nuk do të pajtohet dhe do të shfrytëzoj të gjitha rrugët ligjore për të zbatuar të drejtën ligjore”, thuhet në përgjigjet e Petrol Company për ORAinfo.

Në anën tjetër, në kompaninë tjetër fituese, HIB Petrol, nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë tender, pavarësisht se portali ka pritur për tri ditë përgjigje nga ta.

Ndryshe njohës të kësaj çështje thonë se OSHP mund të kthej këtë tender në pikën zero nëse marrin parasysh interesin e ruajtjes së parasë publike. /ORAinfo/

Komento: