Skandali i kontratës për furnizim të FSK-së me ushqim

18:22 | 17 July 2021

Skandali i pambuluar i kontratës për furnizim të FSK-së me ushqim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rihapur rastin për hetimin e dyshimeve për falsifikim të dosjes së tenderit nga kompania “Beni Dona Plast”, pronë e Ragip Mustafës, me të cilën kjo kompani, në mars të vitit 2020, ka siguruar kontratën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, tashmë Ministria e Mbrojtjes, në vlerë prej 8.4 milionë euro, për furnizim me ushqim të Ushtrisë së Kosovës.

Rasti është rihapur pasi që kanë nisur hulumtimet nga emisioni “Iustitia” lidhur me këtë çështje.

Paraprakisht, rasti ishte mbyllur nga prokurorja, Merrushe Llugiqi dhe kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi, me arsyetimin se lënda po trajtohej me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Hysaj: Falsifikimi i ISO certifikatave, i zakonshëm

Betejat për kontratën me vlerë 9 milionë, për furnizim me ushqim të Ushtrisë së Kosovës, kishin nisur në prill të vitin 2018. Autoriteti Kontraktues, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tri herë radhazi ia kishte dhënë kontratën operatorëve ekonomikë, “Global Parajsa dhe Ciano Trading & Services”, por ajo ishte kontestuar nga OSHP-ja. Në fund kontrata i është dhënë kompanisë “Beni Dona Plast”, pavarësisht dyshimeve të ngritura se në dosjen e tenderit ajo kishte dy ISO certifikata të falsifikuara, e të cilat ishin paraqitur si të lëshuara nga kompania “Royal Cert International”.

Agon Hysaj, hulumtues në Demokraci Plus, vlerëson që dokumentet sikurse vërtetimi tatimor që lëshohet nga Administrata Tatimore dhe certifikatat ISO, verifikohen lehtësisht, madje edhe brenda seancë së OSHP-së. Por, sipas tij, deri më tash ai ka parë që vetëm një herë ka ndodhur që brenda seancës, Paneli Shqyrtues të verifikojë dokumentet.

“Certifikatat më të zakonshme që falsifikohen në Kosovë janë certifikatat ISO, ku falsifikohet data e skadimit ose komplet. Nëse nuk e keni ISO certifikatën, e merr një që e ke, e editon pak dhe e shkruan që je certifikuar për një ISO tjetër”, tha Hysaj.

Arifi: Keqpërdorim që do të duhej të ndiqej

Ndërkohë, hulumtuesit e fushës së prokurimit publik, vlerësojnë se autoritetet kontraktuese dhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së janë selektivë në zbatimin e ligjit. Kur bëhet fjalë për tenderë milionësh dhe kompani të fuqishme, këto institucione heshtin rreth akuzave për falsifikime, ndërsa kur bëhet fjalë tenderë dhe kompani të vogla, atëherë ligji zbatohet me përpikëri. Në këto raste, sipas tyre, ka dyshime të bazuara se mund të ketë veprime të korrupsionit.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO thotë se kur organi i veshur me përgjegjësi publike nuk vepron, atëherë kemi vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Kështu që si rrjedhojë, ky keqpërdorim do të duhej të ndiqej doemos nga autoritetet publike, në këtë rast gjykatat dhe prokuroritë”, theksoi Arifi.

“Loja” e OSHP-së dhe prokurorisë?

Se çfarë veprimesh ka ndërmarrë Paneli Shqyrtues i OSHP-së për të verifikuar dyshimet për falsifikime gjatë seancave publike, emisioni “Iustitia” ka kërkuar përgjigje nga ish-kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, i cili është përgjigjur shkurtimisht.

“Çfarë duhet të bëj unë? Ti arrestoj njerëzit?”, është shprehur Dina.

Gjatë kohës sa po zhvilloheshin betejat në OSHP, Task-Forca Anti-korrupsion e Policisë së Kosovës, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi si dhe kompanitë ankuese, kanë pranuar përgjigje zyrtare nga përfaqësuesit e kompanisë “Royal Cert International”, se dy ISO certifikatat e prezantuara nga “Beni Dona Plast” ishin jovalide, të falsifikuar dhe ishin keqpërdorur nga “Beni Dona Plast”.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Merrushe Llugiqi, më 28 korrik 2020, e ishte mbyllur rastin me arsyetimin se rasti ishte duke u trajtuar sipas ankesës në OSHP.

Hasani: Mbyllja e rastit, keqpërdorim ose mosdije

Veprimet e prokurores, Merrushe Llugiqi dhe kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi, për ta mbyllur rastin me shënim zyrtar, vlerësohen si skandaloze nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, njëherësh profesor i së Drejtës Penale, Fejzullah Hasani. Sipas tij, mbyllja e rastit përmes një shënimi zyrtar nuk ka mbështetje ligjore sepse një procedurë administrative nuk mund ta ndërpresë një procedurë penale.

“Për bindjen time këtu janë dy mundësi. Do të thotë, mundësitë e abuzimit po se po. Dhe më tepër më thotë mendja se kemi të bëjmë me një lloj abuzimi ose shumë më pak dhe që e përjashtoj këtë, sepse është e pa mundur mos ta dijë këtë prokurori, se (kinse) më tepër është mungesë e dijes. Për mua mbizotëron kjo teoria se është abuzuar, sepse është dashur dikush të favorizohet, është dashur dikujt t’i mbyllet çështja. Nuk më shkon mua në kokë që këtë çështje nuk mundet ta dijë një prokuror”, vlerësoi Hasani.

Hedhje e hirit në sytë e publikut

Emisioni “Iustitia” ka kontaktuar prokuroren e rastit, Merrushe Llugiqi dhe kryeprokurorin, Kujtim Munishi për të mësuar më shumë për arsyet e mbylljes dhe rihapjes së rastit të kompanisë “Beni Dona Plast”, por të dytë kanë refuzuar të përgjigjen.

Kjo mënyrë e mbylljes, por edhe e rinisjes së rastit nga prokuroria, profesor Hasani i vlerëson si të pafalshme dhe si tendencë për të hedhur hi syve publikut, kinse prokuroria po e bën punën e vet.

“Jo, ajo s’do të mund të ndodhte fare. Ajo s’do të mund të ndodhte fare, por kjo është akoma më keq, kur tani me tendenca absurde tentohet të mbulohet një skandal që ka ndodhur”, tha Hasani.

Ai shtoi se mekanizmat e llogaridhënies, në këtë rast, duhet të aktivizohen, pavarësisht se shprehet skeptik se si mund të veprojnë, duke theksuar se në këso rastesh, protagonistët kanë lidhje të fuqishme dhe amnistohen.

Kontrata e kontestuar zbatohet që një vjet e gjysmë

Derisa në këtë fazë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po ndërmerr veprime hetimore për dyshimet për falsifikime të ISO certifikatave nga “Beni Dona Plast”, kjo e fundit gati po mbushë një vit e gjysmë që është duke zbatuar kontratën për Ushtrinë e Kosovës, e cila kap vlerën e 8.4 milionë eurove.

Sipas profesorit Fejzullah Hasani dhe hulumtuesve të prokurimit publikimit, nëse në këtë fazë vërtetohet se “Beni Dona Plast” e ka fituar kontratën me dokumente të falsifikuara, atëherë kontrata duhet të pezullohet dhe të ndiqen rrugë ligjore për të zhdëmtuar palët.

Se si do të veprojë prokuroria në rastin e dyshimeve për falsifikime nga “Beni Dona Plast”, mbetet të shihet.

Komento: