
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka pezulluar lejen ekspozitës së hapur në kryeqytet me temën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ekspozitë kjo e realizuar me mbështetje financiare nga Kuvendi i Kosovës.
Arsyeja e pezullimit ka të bëjë me skandalin që është zbuluar se në përshkrimin e masakrës së burgut të Dubravës, ndër të tjera thuhet se prej të vrarëve, 48 të burgosur shqiptarë figurojnë si të armatosur.
“Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojmë lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”.
“Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, shkroi Rama.
Kreu i kryeqytetit tha se “ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës” dhe se për të, “kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1244217791208063&set=a.352650983698086&type=3&ref=embed_post