Skandali me prona në Prishtinë: Gjykata i ndalon të dyshuarit t’i afrohen Komunës dhe Kadastrit

17:03 | 09 Maj 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masa të reja ndaj tre të dyshuarve për korrupsion dhe veprime të dyshuara kriminale në çështje pronësore, duke iu ndaluar afrimi në institucione kyçe si Komuna e Prishtinës dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Rasti është raportuar ekskluzivisht nga Sinjali, i cili ka zbuluar detaje të aksionit të madh të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), të zhvilluar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Sipas hetimeve, të dyshuarit – përfshirë edhe një zyrtar komunal, Fitim Sertolli – dyshohen për falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mashtrim në lidhje me prona. Në mesin e të ndaluarve janë edhe Liridon Restelica dhe Ndriçim Sogojeva.

Bastisje dhe sekuestrime të shumta

Me urdhër të gjykatës, janë bastisur katër lokacione, përfshirë shtëpi private dhe një zyrë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Prishtinë.

Gjatë aksionit janë sekuestruar:

një veturë Audi Q7
një veturë Skoda
një orë luksoze Rolex
telefona celularë, laptop dhe pajisje kompjuterike
USB dhe HDD të jashtëm
dokumente të ndryshme pronësore të dyshuara

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Komento: