Skandali me subvencione/ Pacolli i LDK-së paralajmëron skandale të reja të zyrtarëve të VV-së në Ministrinë e Pecit

18:08 | 19 November 2024
skandali-me-subvencione/-pacolli-i-ldk-se-paralajmeron-skandale-te-reja-te-zyrtareve-te-vv-se-ne-ministrine-e-pecit

Njëqind mijë euro subvencione për vëllain e deputetes së VV-së, Fitore Pacollit dhe po aq për dajën e kësaj të fundit. Këto janë dy nga skandalet më të bujshme me subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, të cilat i publikoi këto ditë zyrtari i LDK-së, Egzon Pacolli.

Ky i fundit ka deklaruar për portalin “Frontonline” se nuk do të ndalet me kaq, pasi që, siç thotë ai, ende ka skandale të pazbuluara në Ministrinë e Bujqësisë.

 “Ne kemi dorëzuar kallëzimin penal në Prokurori, ku kemi kërkuar hetim më të thellë për grantet e shpërndara nga Ministria. Fatoni dhe Fitorja e kanë keqpërdor detyrën e tyre zyrtare, ka dhe raste të tjera nga figurat kyçe të VV-së dhe do të zbulohen ato raste”, ka deklaruar Pacolli për Front Online.

Përndryshe, vëllai i deputetes së VV’së, Fitore Pacollit, Blerimi, thotë se grantin e fitoi me meritë, e jo se është vëllai i Fitores.

“Kam aplikuar si fermer i lirë e as nuk kam llogaritur në Fitoren e as nuk e kam informuar se do të aplikoj. E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër”, ka shkruar Blerim Pacolli.

Ndërsa Sylejman Islami, daja i deputetes së VV-së, i cili u shpërblye me 100 mijë euro për të investuar në arra e lajthia e ka pranuar për “Front Online” se e ka mbesë deputeten Fitore Pacolli.

“Jo 100 mijë euro, por 60 mijë euro janë ndarë nga Ministria, e 30 mijë e diçka i investoj vetë. S’ka lidhje kurgjo Fitore Pacolli me mua, bash mbesë e kamë. Asgjë s’ka ndikuar ajo’’, potencon ai.

Përpos vëllait dhe dajës së deputetes Pacolli, mediet kanë raportuar se 100 mijë euro grant nga Ministria e Bujqësisë ka përfituar edhe Naim Huruglica, i cili është këshilltar i ministrit Faton Peci.

Deputeti i PDK-së: Ministri Peci të raportojë në Kuvend për subvencionet

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Bujqësi nga radhët e PDK-së, Isak Shabani, ka kritikuar Qeverinë ‘Kurti’, duke thënë se keqpërdorimi i mjeteve publike për interesa partiake dëmton integritetin institucional.

Shabani për “Front Online” thotë se subvencionimi i Ministrisë që përfitues ishte vëllai i deputetes Fitore Pacolli, tregon për menaxhimin e fondeve publike.

“Keqpërdorimi i mjeteve publike për interesa personale apo partiake është shqetësuese që dëmton rëndë integritetin e institucioneve. Subvencionimi prej 100 mijë eurosh, ku përfitues ishte vëllai i një deputeteje të VV-së, ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si menaxhohen fondet publike”, deklaroi Shabani.

Lidhur me këtë subvencionim, Shabani kërkon të thirret ministri Peci për raportim në Kuvend.

“E shoh si detyrim të thërras ministrin për raportim mbi këtë rast dhe për të diskutuar në detaje procedurat e ndjekura për ndarjen e subvencioneve. Pasi që ka pasur shkelje apo favorizime, ato duhet të bëhen publike, dhe përgjegjësit të mbajnë llogari”, thotë Shabani.

Tutje, Shabani thotë se subvencionimet e familjarëve dëmtojnë rëndë kredibilitetin e premtimeve të VV’së.

“Qeveria Kurti erdhi me premtime për drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, por raste të tilla dëmtojnë rëndë kredibilitetin e këtyre premtimeve”, deklaroi ai.

Ish zv/ministri i Bujqësisë: Faton Peci është keqpërdorues, pa lejen e tij nuk aprovohen subvencionimet

Ish zëvendësministri i Bujqësisë nga radhët e Nisma Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, e ka cilësuar si keqpërdorim të detyrës zyrtare subvencionimet e familjarëve të VV’së në Ministrinë e Bujqësisë.

Krasniqi për “Front Online” thotë se ministri Peci në pushtet ka ardhë me premtim për luftimin e krimit në këtë Ministri, por, siç thotë ai, po ndodhë e kundërta.

“Ka shumë fermerë dhe nuk arrijnë të marrin subvencione e grante, ndërsa pushteti po  i dhuron tek familjarët. Ministri është mburrë që do ta luftojë krimin. Ky është keqpërdorues dhe pa verdiktin e fundit të tij nuk publikohet listat”, u shpreh Krasniqi.

Pas grantit të dhënë vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, është raportuar se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i ka dhënë grant edhe këshilltarit të jashtëm në kabinetin e ministrit, Naim Huruglica.

Sipas dokumenteve të publikuara nga portali “Periskopi”, kompania “Iron Consulting”, e cila ka pronar pikërisht këshilltarin e zotit Peci, është shpërblyer me grant për projekt në vlerë 100 mijë euro./FrontOnline/

 

 

 

Komento: