
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu i cili kishte dekoruar me çmimin “Alumni i Nderit” presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, rezulton të jetë pjesë e organizatës së Shkëlzen Gashit që lansoi ekspozitën skandaloze me të dhëna të pasakta për masakrat e Kosovës.
Rektori Hajrullahu, figuron në uebfaqen e organizatës admovere.org si Kryetar i Bordit. Në rubrikën “Bordi”, emri i tij shfaqet qartë, së bashku me fotografi dhe titullin përkatës.

Kjo bie ndesh me deklarimet e tij publike, ku ai ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në organizata të tjera. Në një reagim të publikuar së fundmi, Hajrullahu ka theksuar se që nga marrja e detyrës si rektor më 7 gusht 2024, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet jashtë Universitetit të Prishtinës.
“Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, sqaron opinionin publik se, që nga dita e zgjedhjes në këtë funksion, ka dhënë dorëheqje nga çdo angazhim tjetër institucional apo organizativ, përveç UP-së”, thuhet në reagimin e tij.
Organizata “Abmovere” dhe “Integra” ishin prapa ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ekspozitë që përmbante skandal si pasojë e pasaktësive në pasqyrimin e Masakrave në Kosovë.
Ajo u akuzua për përhapje të propagandës serbe në sheshin e Prishtinës.
Materialet e kësaj ngjarjeje, që morën mbështetje financiare edhe nga Kuvendi i Kosovës, u hoqën nga sheshi të shtunën në mëngjes me vendim të Komunës së Prishtinës, e cila ua hoqi lejen për shfrytëzim të hapësirës komunale.
Pretendimet e Gashit, i cili deklaroi se ishte bazuar në burimet e Fondit për të Drejtën Humanitare, janë hedhur poshtë haptazi nga vetë kjo organizatë, duke i kualifikuar ato si devijime tërësisht joprofesionale.
Të dielën, dy organizatat dolën me reagim duke kërkuar falje publike për gabimet trashanike të lëshuara në ekspozitën e tyre.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet në reagim./Insajderi