Skandaloze: Në parcelën ku duhet të ndërtohet një çerdhe, po ngrihet një objekt banesor

19:33 | 09 Maj 2024
skandaloze:-ne-parcelen-ku-duhet-te-ndertohet-nje-cerdhe,-po-ngrihet-nje-objekt-banesor

Një skandal i madh, i pa parë deri më tash po ndodh në komunën e Prishtinës, ku në parcelën e paraparë për ndërtimin e një çerdhe publike në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, po ndërtohet një objekt banesor.

Sipas planit urban të siguruar nga Front Online shihet se në pronën në fjalë, duhet të ndërtohej vetëm një çerdhe publike një katëshe, sipas komunës në pronën në fjalë po ndërtohet çerdhe dhe mbi të një kompleks banesor, e sipas opozitës në Prishtinë ky është njëri prej skandaleve më të mëdha të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama prej kohës kur ai ka marrë ne menaxhim komunën e Prishtinës.

Bazuar në dokumentet e siguruara shihet qartë së në bazë të planit urban në një parcele në lagjen “Arbëria” të Prishtinës është dashur të ndërtohej një çerdheje, por çuditërisht në vendin e njëjtë tashmë është duke u ngritur një objekt banesor, e i cili bie ndesh krejtësisht me planin rregullues urban Arbëria 3, të cilin e ka parë Front Online.

Sipas planit në fjalë thuhet se mes ndërtimit të mesëm E3 dhe ndërtimit të mesëm E4 parashihej vetëm një kopsht dhe asgjë tjetër, siç edhe shihet në fotografinë e siguruar nga portali, por tashmë aty është situatë krejtësisht tjetër aty ka filluar puna për ndërtimin e një kompleksi banesor nga një kompani ndërtimi. Drejtoresha e arsimit në Prishtinë e pranon çerdhe, mbi ndërtesë. Për këtë skandal portali Front Online ka dërguar pyetje në komunën e Prishtinës, por as pas një javë pritje nga ata nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Po ashtu, portali nuk ka arritur të mësoj as për lejen dhe kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin e banesave në lagjen Arbëria.

Por, drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushtaku-Sadriu e konfirmoi në mbledhje të Kuvendit Komunal ku ju është bërë pyetja nga VV-ja, e cila tha se aty pos çerdhes do të ketë edhe objekt banesor.

“Kam marr përgjigje nga drejtoria se e njëjta në bazë të planit zhvillimor është e planifikuar si ndërtesë me një çerdhe të integruar në ndërtesë kështu është definuar, ky është përshkrimi i drejtorisë”, deklaroi Lushtaku-Sadriu.

Por, pavarësisht kësaj që thotë drejtoresha Lushtaku-Sadriu plani është i qartë brenda parcelës nuk është paraparë asnjë funksion tjetër përveç çerdhes. Shumë i qartë është plani, çerdhe kopsht-funksioni. P+1 etazhiteti.

Pra, brenda kësaj parcele nuk është e paraparë të ketë funksione të tjera. Në planin rregullues për lagjen Arbëria, në bazë të numrit të banorëve nevojiten : 7 çerdhe, 3 shkolla fillore dhe 1 shkollë e mesme. Është vlerësuar se nëse merret zona e mbulueshmërisë rrjedh se me një shkollë pothuajse mund të mbulohet territori i lagjes.

 “Për këtë arsye autorët bashkë me ekipin nga komuna kanë ardhur në përfundim që të bëhet një lloj kombinim në mes të parametrave: rreze-numër të banorëve- kapacitet të shkollës, çka është ardhur në përfundim që të propozohen dy shkolla me kapacitet më të madh dhe 5 çerdhe kopshte”, thuhej në planin rregullues.

Opozita: Skandal i madh i Përparim Ramës

Opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës është shprehur e shqetësuar me prona publike e destinuar për çerdhe po shërben si pronë për ndërtimin e banesave.

Shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla tha për Front Online se po mbledhin informacione dhe se pastaj do të dalin me qëndrim.

“Për rastin në fjalë jemi njoftuar nga banorë të lagjes të cilët na kanë shkruar me shumë shqetësim për ketë çështje. Jemi në fazën e verifikimit të informacioneve dhe të dokumentacionit dhe posa të kemi njohuri të mjaftueshme do të dalim me qëndrimin tonë”, u shpreh ai.

Në rast se vërtetohet kjo, ai e quan skandal të madh të Qeverisjes së Përparim Ramës.

“Nëse e marrim si fakt të mirëqenë një gjë të tillë, pra nëse vërtetohet qe ka ndodhur një gjë e tillë atëherë ky është një skandal i madh. Po e përsërisë që jemi në fazën e verifikimit te të dhënave, megjithatë nga praktika e deritanishme me këtë qeverisje në Prishtinë, mundësitë janë shumë të mëdha që të ketë ndodhur një ndërtim i tillë në një hapësirë që me planin rregullues të lagjes është planifikuar të ndërtohet shkollë’, u shpreh Sveçla.

Po ashtu edhe shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri deklaroi se posa të vërtetohet, do ta denoncojnë këtë rast.

“Posa të vërtetojmë që një objekt banimi po ndërtohet aty ku është paraparë me qenë çerdhe, do të bëjmë të ditur reagimin tonë. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë atëherë ky do të jetë skandali i radhës i Përparim Ramës të cilin do ta denoncojmë në të gjitha format e mundshme, me aq sa kemi kapacitet qytetar e publik. Mos pajtueshmëria në lidhje me trajtimin e pronës publike kanë çuar në prishjen e koalicionit me Ramën”, theksoi Retkoceri për Front Online.

 

 

Komento: