Në këto ditë të acarta, nevoja më e madhe për qytetarët është ngrohja.
Që nga orët e para të mëngjesit të sotëm nuk ka ngrohje qendrore. E lidhur me këtë “Termokosi”, ka njoftuar për arsyet pse e kanë ndalur furnizimin me ngrohje
Përmes një njoftimi për media “Termokos” thotë se fajin e ka KEDS-i pasi paraprakisht nuk ka paralajmëruar se do të ketë shkyçje të energjisë elektrike, përcjell lajmi.net.
“Termokos” Sh. A, njofton opinionin e gjerë dhe konsumatorët tanë, se për shkak të ndërprerjeve të gjata dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, është pamundësuar furnizimi me ngrohje”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se natën e mbrëmshme menjëherë pas mesnate për gjashtë orë me radhë është ndërprerë energjia elektrike.
“Ekipet tona janë mobilizuar menjëherë dhe janë duke bërë të pamundurën për evituar problemet e paraqitura dhe për të stabilizuar furnizimin me ngrohje. Kjo situatë dramatike është e papranueshme për “Termokos”-in dhe shkatërruese për sistemin e ngrohjes qendrore për funksionalizimin e të cilit janë shpenzuar miliona euro, shumë mund dhe përkushtim”, thuhet me tej në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet “se ndërprerja të tilla të paralajmëruara të energjisë elektrike kemi pasur disa herë gjatë këtij sezoni ngrohës. Në situata të tilla shkaktohen probleme të shumta dhe dëmtime të sistemit të ngrohjes qendrore, të cilat rrezikojnë seriozisht stabilizimin dhe vazhdimin e furnizimit me ngrohje. Me keqardhje të thellë, që pa dashjen tonë na është pamundësuar kryerja e misionit tonë kërkojmë mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, thekson komunikata