Skenari i Albin Kurtit për t’i fituar zgjedhjet

17:25 | 06 August 2019

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur për procesin e zgjedhjeve të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Në një shkrim të bërë në Facebook, Kurti është shprehur i bindur në fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mirëpo Kurti ka shtuar se kësaj radhe është e mundur që të fitojnë edhe para zgjedhjeve, dhe kjo sipas tij, mund të bëhet nga një koalicion paraprak i opozitës.

Ja shkrimi i plotë i Kurtit:

“Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.

Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi.

Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!

Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare.

Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Komento: