Skender Llugiqi përfundon në ndalim 48-orësh pas kërcënimit ndaj Ramush Haradinajt

23:06 | 12 Gusht 2026

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet S.LL., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Kanosja”.

Sipas Prokurorisë Speciale, ndalimi lidhet me deklaratën e dhënë sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është bërë thirrje për “pushkatimin” e deputetit Ramush Haradinaj.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka nisur veprimet hetimore për rastin.

“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit dhe vërtetimit të plotë të rrethanave të rastit të ndodhur të mërkurën, në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

Komento: