Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë gjatë mbledhjes së përbashkët në Pejë nënshkruan disa marrëveshje. Por zbatimi i tyre po shihet me skepticizëm.
Qyteti i Pejës u bë nikoqiri i pestë i takimeve ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Pas Prizrenit, Tiranës, Prishtinës dhe Korçës shumë marrëveshje u nënshkruan rdhe në kryeqendrën e Dukagjinit.
Mirëpo, përveç trumbetimit mediatik dhe nënshkrimeve formalisht në letër, rezultatet konkrete të këtyre marrëveshjeve, memorandumeve, dhe protokolleve po shihen si vështirë të arritshme, duke u bazuar në moszbatimin e marrëveshjeve paraprake.
Entuziazmin e madh të dy kryeministrave Ramush Haradinaj dhe Edi Rama gjatë nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, shpreson ta shohë edhe në implementimin e tyre në praktikë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.Rukiqi, thotë se praktika e kaluar e moszbatimit të marrëveshjeve i ka bërë të gjithë më skeptik se do të ketë lëvizje konkrete në realizim të tyre.
Ndërsa, thekson se ajo çka duhet të jetë kryesore ndërmjet dy Qeverive është që të ketë vullnet për zbatimin e marrëveshjeve.Nënkryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj është shprehur se dy Qeveritë duhet të marrin me shumë seriozitet këto marrëveshje, në mënyrë që të mos mbesin të pazbatueshme, pasi siç thotë ajo problem po qëndron tek dy Qeveritë.
Sipas, saj para nënshkrimeve të reja është dashur që të bëhet një analizë më e mirëfilltë, se pse nuk po zbatohen marrëveshjet paraprake.Deputetja, Hadergjonaj, konsideron se këto mbledhje ndonjëherë duhet të bëhen edhe për shoë medial.Nga ana tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se përkundër disa ngecjeve që kanë pasur në mos implementimin e marrëveshjeve paraprake, vitin e ardhshëm priten të zgjidhen këto.
Sipas Minxhozit, vitin tjetër do të ketë më shumë arritje konkrete. Sepse siç thotë ai, mbledhja e fundit pritët të jetë ajo që do të prodhojë më shumë rezultate.Përndryshe, pak ditë para Ditës së Flamurit janë nënshkruar edhe tetë marrëveshje të reja, ku sipas dy shteteve do të fuqizojnë bashkëpunimin mes tyre.