Sllovakia thotë se ia dëshiron të mirën Kosovën edhe pse nuk e njeh si shtet

10:30 | 11 July 2019

Sllovakia ka ripërsëritur qëndrimin e saj se nuk e njohin Kosovën, por kanë thënë se ia duam të mirën.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po vazhdon të mos finalizohet pavarësisht faktit që Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kjo pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po hezitojnë ta mbështesin liberalizimin për Kosovën. Në mesin e këtyre shteteve gjendet edhe Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për “Zërin” se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Në anën tjetër zyrtarë të MPJ-së së Sllovakisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se e mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë ata kanë pohuar se brenda BE-së aktualisht nuk ka konsensus sa i përket heqjes së regjimit të vizave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Republikës së Sllovakisë, Boris Gandel, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është pro perspektivës evropiane të Kosovës. “Pavarësisht se Sllovakia nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, ne e mbështesim perspektivën evropiane për Kosovën si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu mbështesim zbatimin e standardeve dhe të vlerave të BE-së në Kosovë”

Megjithëkëtë, sipas Gandelit, aktualisht nuk ka njëzëshmëri brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën. “Pas rekomandimit të Komisionit Evropian vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është në duart e shteteve anëtare të BE-së. Debati, i cili filloi në Këshill vitin e kaluar, tregoi se aktualisht nuk ka konsensus për këtë çështje brenda BE-së”, ka potencuar ai.

Disa vende të BE-së, siç Gandel është shprehur, po e vënë në pikëpyetje çështjen e liberalizimit për qytetarët e Kosovës. “Disa shtete anëtare po vënë në pikëpyetje konkluzionin e Komisionit se Kosova ka përmbushur plotësisht kriteret, duke argumentuar se ekziston rreziku i lartë i migrimit të paligjshëm dhe se numri i lartë i dhënies së vizave po keqpërdoret. Shtetet anëtare duan të sigurohen që liberalizimi i vizave, kur të jepet, nuk do të ketë ndikim negativ në sigurinë e tyre të brendshme”, ka nënvizuar ai.

Ndaj zëdhënësi i MPJ-së i Sllovakisë ka thënë për “Zërin” se Kosova duhet të vazhdojë të shfaqë progres në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Dëshirojmë të theksojmë se miratimi i legjislacionit është vetëm hapi i parë, ajo që është edhe më e rëndësishme është zbatimi i tij. Ne sugjerojmë që Kosova të vazhdojë të ndërtojë një progres të qëndrueshëm në rastet e shënjestruara (track records), në mënyrë që t’i bindë shtetet anëtare skeptike”, ka theksuar për gazetën Boris Gandel.

Komento: