Trajneri i ri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka lavdëruar punën e Jose Mourinhos, duke thënë se ai ka kryer punë të përsosur.
Solskjaer ka bërë të ditur se ai nuk ndihet keq për Mourinho, i cili u shkarkua nga pozita e trajnerit të martën, pasi që ai e kishte një punë të përsosur gjatë kohës së këtij të fundit me “Djajtë e kuq”.
Manchester Unitedi arriti ta sigurojë një fitore me rezultat 5-1 në ndeshjen e parë me trajnerin e ri, Solskjaer. “Djajtë e kuq” e dominuan plotësisht ndeshjen kundër Cardiffit, transmeton Gazeta Express.
Mourinho u shkarkua të martën pas disfatës që pësoi kundër Liverpoolit me rezultat 3-1, duke mbetur 19 pikë larg tyre në tabelën e Premierligës. Drejtuesit e klubit nuk ishin të kënaqur me portugezin edhe për shkak të deklaratave negative të tij, të cilat bënin që në klub të mbizotëronte një atmosferë e keqe.
“Unë jam këtu pas dy prej trajnerëve më të mirë në botë, Mourinhos dhe Van Gaalit. Por, a mund të ndihem keq për një trajner të Manchester Unitedit? Kurrë nuk ndihesh keq për ta. Ata e kanë punën e përsosur”, ka thënë Solskjaer, i cili do të jetë trajner i “Djajve të kuq” deri në fund të sezonit.
“Unë nuk dua që askush të ndihet keq për mua. Ka gjithmonë pasoja për çdo veprim të ndërmarrë. Kjo është një ëndërr. Është një punë e madhe, por është një punë e ëndrrave”.
Solskjaer e pati përkrahjen e tifozëve të klubit, të cilët vazhdimisht e brohorisnin emrin e tij gjatë ndeshjes. Dashuria e tifozëve të klubit për norvegjezin daton qysh kohë më parë, kur ai kishte arritur ta shënonte golin e fitores në minutat e fundit të finales së Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut më 1999.