Duke komentuar të dhënat e matjeve të kryera nga UBO, sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj ka thënë se hulumtimi vë në dukje rënien e vazhdueshme të Vetëvendosjes.
Sipas tij, VV tashmë ka humbur mbështetjen e qytetarëve dhe kjo mbështetje tashmë është në anën e opozitës.
“Po shohim një rënie të vazhdueshme dhe të vazhdueshme të Lëvizjes Vetëvendosje. Sot, kur po shohim, përkrahja e qytetarëve është për opozitën dhe jo më për Vetëvendosjen”, ka thënë Nikaj në Pressing të T7.
Sipas të njëjtit sondazh, Nikaj ka deklaruar se vërtetohet rikonsolidimi i votës së PDK-së.
Ai ka shprehur ambiciet e hapura që PDK të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
“PDK po organizohet dhe po rikonsolidon votën. PDK mëton të dal e para në zgjedhjet e reja. Vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të arritur fitore”, ka theksuar ai.
Sipas hulumtimit të UBO Consulting, të kryer fundjavën e kaluar, në zgjedhje VV do të merrte 37.3% të votave, PDK 21.7%, LDK 22.3% dhe AAK 7.7%.