
6 në çdo 10 amerikanë thonë se kanë pikëpamje shumë të pafavorshme ose disi të pafavorshme për Izraelin, 20% më shumë se në vitin 2022, sipas një sondazhi të publikuar këtë javë nga Qendra Hulumtuese “Pew”.
Rreth gjysma e këtyre të anketuarve thonë se kanë pikëpamje “shumë të pafavorshme” për Izraelin, përqindje që është trefishuar në katër vitet e fundit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sondazhi me 3.500 të rritur amerikanë u zhvillua në fund të muajit të kaluar, pas fillimit të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit. Sondazhi e jep shenjën më të re se qëndrimet kundër Izraelit po shtohen në mesin e amerikanëve.
Shumë sondazhe të zhvilluara në të kaluarën kanë treguar se amerikanët rishtazi ndiejnë dhembshuri më shpesh për palestinezët se për izraelitët.
Edhe sondazhi i ri e vuri në pah ndarjen politike në lidhje me qëndrimet ndaj Izraelit. Rreth 80% e mbështetësve të Partisë Demokratike thanë se kanë pikëpamje jo të favorshme për Izraelin, në krahasim me vetëm 40% në mesin e përkrahësve të Partisë Republikane të presidentit Donald Trump.
Gati gjysma e demokratëve nën moshën 50 vjeçare thanë se kanë pikëpamje “shumë të pafavorshme” për Izraelin.