Sonja Biserko nuk e përjashton mundësinë që Serbia mund t’ia mësyejë ushtarakisht Veriut

11:02 | 27 December 2022

Biserko s’e përjashton mundësinë që Serbia mund t’ia mësyejë ushtarakisht Veriut.

Shqetësuese dhe me mundësi reale të një përshkallëzimi deri në përmasa ushtarake, e vlerëson situatën në pjesën veriore të Kosovës, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko.

Biserko kur flet për mundësinë e një përshkallëzimi real ushtarak në pjesën veriore të vendit, vlerëson se “në fakt gjithçka është gati”.

Në fakt gjithçka është gati. Dhe, mund ta bëjnë edhe pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi”, thotë Biserka për gazetën online Reporteri.

Dhe jo vetëm elementi serb është i pranishëm në këtë skenar, rikujton ajo. “Faktori rus është gjithashtu i rëndësishëm dhe prezent në kufi me Kosovën – Grupi Wagner dhe Ujqërit e Natës”.

E tëra kjo, sipas saj, sepse “Rusisë i duhet një tjetër front për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina”.

Pyetur rreth gjuhës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në një shpërthim të paprecedentë nervash, kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, e quajti “llum terrorist”, Biserko thotë se “kjo gjuhë ka për qëllim radikalizimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës”.

“Dhe, siç mund edhe ta shohim, ajo po përshkallëzohet orë pas ore”.

Tërë situatën të nisur me dorëheqjet masive të serbëve nga institucionet e deri te vendosja e tashmë dhjetëra barrikadave në pjesën veriore, Biserko e sheh për mbulojë të refuzimit ndaj planit franko-gjerman.

“Ndarja gjithmonë ka qenë i vetmi opsion i Beogradit”.

Aktivistja serbe konsideron se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, asnjëherë s’ka treguar interes në ndjekjen e politikave evroppiane. Përkundrazi, thotë ajo, ka kthim mbrapsht dhe rritje të autoritarizmit.

“Vuçiç lejoi Russia Today-n të hap zyrat e saj në Beograd dhe emëroi Aleksandar Vulin-in shef të BIA-s, avokuesin më të njëmend rus”.

Qasjen perëndimore ndaj Vuçiç’it, ajo vazhdon ta sheh në “politikën e të marrit me të mirë Beogradin në dëm të të tjerëve në rajon”.

Megjithëse ajo beson se “kjo po bëhet me qëllim të mirë”, Biserko e sheh “shumë jo realiste” të fitohet Beogradi për opsionin perëndimor.

“Është fatkeqe që ata s’e njohën natyrën e vërtetë të rënies së Malit të Zi. E lanë Beogradin dhe Moskën ta marrin përsipër. Vetëm kohëve të fundit i kuptuan pretendimet e justifikueshme të Kosovës si ato për targat etj”, thotë ajo për Reporteri.

Biserko madje shprehet edhe se ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, po edhe shqiptarëve, pasoi “një fushatë njollosje” pikërisht për shkak të, siç e quan ajo, “refuzimit të tij për t’iu bindur pritshmërive të Beogradit”.

“Qasja e butë amerikane ndaj Beogradit perceptohet si dobtësi, kjo nuk është një gjuhë që Beogradi e kupton”.

Biserko rikujton se infiltrimi rus në strukturat ruse, prej Kishës Ortodokse Serbe, në Shërbimit Sekret Informativ, komunitetin akademik, media dhe sferë publike, “ka impakt të madh në pozicionet e Beogradit”.

Në dritë të kësaj, Biserko nuk e sheh edhe të konkludueshme planin franko-gjerman, ndonëse shprehet mbështetëse.

“Nuk mund të gjykoj mbi atë dokument sepse s’është ende publik. Por, në bazë të asaj çfarë ka rrjedhur në media është propozim realist. Serbia supozohet më në fund të pranojë realitetit, por duket që s’ka gjasa të ndodh së shpejti”.

“Çështja është se si Serbia do të del nga ky çorrskokak?”, pyet ajo.

Sipasj saj, në dhjetë e fundit, Aleksandar Vuçiç e ka rivitalizuar projektin e Sllobodan Millosheviçit, tashmë të njohur si “bota serbe”.

Por, ajo megjithatë shprehet mirëbesuese se “BE dhe ShBA nuk do ta lejojnë Beogradin ta shkatërrojë arkitekturën e Ballkanit në të cilën është investuar aq shumë”.

Por, ajo thotë se “mbetet të shihet nëse një konflikt i shkallës së vogël do të shmanget”.

Komento: