Kosova e kërkon sonte fitoren e parë në kualifikimet e Euro 2024.
Kombëtarja e Kosovës do ta kërkojë sonte fitoren e parë në kualifikimet e Kampionatit Evropian.
“Dardanët” i kanë regjistruar tri barazime në tri ndeshjet e para në Grupin I.
Në muajin mars i ndanë pikët me Izraelin dhe me Andorrën, kurse pak ditë më parë e morën një pikë në shtëpi kundër Rumanisë, shkruan Gazeta Express.
E sonte, Vedat Muriqi me shokë janë të vendosur për ta regjistruar fitoren e parë dhe kështu për t’i mbajtur gjallë shpresat e pakta që iu kanë mbetur për ta siguruar kualifikimin historik në Euro 2024.
Verdhekaltrit sonte do ta kenë përballë Bjellorusinë, në ndeshjen që do të luhet në terren neutral, më saktësisht në Budapest të Hungarisë, ndërsa ndeshja do të luhet pa praninë e shikuesve.
Trajneri Alain Giresse mund ta ketë sonte trenin e fundit, prandaj edhe e ka motivuar ekipin që t’i fitojë tri pikë ndaj bjellorusëve.
“E kemi analizuar lojën e Bjellorusisë, ashtu siç besoj se edhe ata e kanë studiuar lojën tonë. Në veçanti e kemi analizuar ndeshjen e tyre të fundit kundër Izraelit. Sidoqoftë, ne nuk do t’i përshtatemi lojës së tyre por do të luajmë lojën tonë. Pra, ne do t’ua imponojmë atyre lojën tonë, pasi qëllimi ynë është ta dominojmë këtë ndeshje. Kundër Rumanisë kemi bërë lojë të mirë, por ka munguar finalizimi i rasteve”, theksoi Giresse në konferencë për shtyp.
Milot Rashica nuk stërviti dje në Budapest dhe prezenca e tij në ndeshjen e sontme është vënë në dyshim.
Ndeshja mes Bjellorusisë dhe Kosovës do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45.