Sonte Muriqi pritet të bëhet përfaqësuesi i parë i Kosovës që luan në Ligën e Kampionëve

13:31 | 20 October 2020

Muriqi pritet të bëhet sonte përfaqësuesi i parë i Kosovës që luan në Ligën e Kampionëve.

Vedat Muriqi është në prag të bëhet përfaqësuesi i parë i Kombëtares së Kosovës që luan në një ndeshje të Ligës së Kampionëve – garës më prestigjioze evropiane për klube.

Sulmuesi i Kosovës është në skuadrën e Lazios për ndeshjen e sotme hapesë në Grupin F kundër Borussia Dortmundit në Stadiumin Olimpik të Romës, raporton Gazeta Express.
Derisa Muriqi – i cili iu bashkua Lazios këtë verë nga Fenerbahce – nuk pritet të jetë titullar para Ciro Immobiles dhe Joaquim Correas, për të do të ketë minuta në pjesën e dytë sipas të gjitha gjasave.

Sulmuesi nga Prizreni do ta shkruajë historinë nëse Simone Inzaghi ia jep mundësinë të luajë kundër Dortmundit, sepse do të bëhej përfaqësuesi i parë i Kombëtares së Kosovës që luan në garën më të madhe evropiane për klube.

Që prej pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA më 2016, asnjëri prej përfaqësuesve të saj nuk ia kanë dalë ta sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Shumica prej tyre kanë luajtur në kualifikime por jo edhe në Ligën e Kampionëve.

Muriqi, i cili i kushtoi mbi 18 milionë euro klubit nga kryeqyteti italian, debutoi për Lazion në fundjavë në humbjen e thellë 3:0 kundër Sampdorias.

Ai vinte nga një lëndim i gjatë i cili ia shtyu debutimin për klubin e ri dhe bëri që të mungojë në ndeshjet e Kosovës në tetor, përfshirë në takimin historik që dardanët e humbën kundër Maqedonisë së Veriut.

Komento: