
33 personave nga Vushtria sot u janë marrë mostrat për analiza.
Në fshatin Smrekonicë të komunës së Vushtrrisë sot gjatë ditës janë kryer testet edhe për 33 banorë të fshatit të cilët kanë pasur kontakt me dy personat e konfirmuar me Covid 19 nga ky fshati. Rezultatet për ta pritet që të dalin sot gjatë ditës.
Lajmin për testimin e tyre e ka konfirmuar për Express kryetari i fshatit Smrekonicë, Fidan Bejta.
“Sot janë testuar 33 banorë të fshatit tonë, të cilët kanë qenë në kontakt me dy të infektuarat e para nga Smrekonica. Dy të prekurat nga ky virus, aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore. Andaj të dashur bashkëfshatarë, vazhdoni të qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos u takoni me fqinjët”, ka thënë Bejta.
Numri total i të prekurve ka arritur në 165 persona në nivel vendi. 25 prej tyre janë shëruar, ndërkohë 3 tashmë kanë ndërruar jetë.