
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
Deri në këtë moment është propozuar vetëm një kandidat për këtë post, deputeti Glauk Konjufca.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar një ditë më parë se kandidatura e Konjufcës është dorëzuar me nënshkrimet e 30 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga grupi multietnik.
“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, e cila është propozuar nga 30 deputetë nënshkrues. Sipas dokumentacionit, një pjesë e deputetëve nga Grupi Parlamentar i VV-së dhe disa deputetë nga grupi multietnik kanë nominuar Glauk Konjufcën”, deklaroi Haxhiu në konferencë për media.
Ajo theksoi se procesi i votimit nuk mund të nisë pa u plotësuar kushti themelor për të pasur së paku dy kandidatë të mbështetur me nënshkrimet e nevojshme.
“Derisa nuk kemi të paktën dy kandidatë që kanë siguruar mbështetjen e kërkuar, nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit”, shtoi ajo.
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kjo çështje rregullohet nga Neni 86. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se:
“Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë përpara përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.