Sot betohen kryetarët e rinj të tri komunave në veri

09:15 | 25 May 2023

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen sot.

Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët në votime dhe bojkotimin e Listës Serbe.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi tha dje se janë bërë të gjitha përgatitjet për betimin e tre kryetarëve të rijnë në komunat veriore të Kosovës.

E Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur po dje, ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, do të betohen të enjten.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seanca konstituive dhe [do të bëhet]betimi i tre kryetarëve të rinj”, tha kryeministri, pa përmendur se për çfarë ndërtesash bëhet fjalë.

Izmir Zeqiri do të betohet si kryetar i Zubin Potokut në orën 10:00 në zyret komunale në fshatin Çabër.

Tri orë më vonë procedurën e betimit do ta kryejë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ishte kandidat i VV-së. Edhe ai betimin do ta bëjë një zyre të ngjashme në fshatin Bistricë.

Ndërkaq, kryetari i ri i Zveçanit do të betohet në shkollën “Isa Boletini”.

Të premtën e kaluar detyrën e mori edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai betimin e bëri në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Komento: