Sot certifikohen rezultatet e zgjedhjeve – Hapet rruga për formimin e institucioneve

08:50 | 08 Korrik 2026
sot-certifikohen-rezultatet-e-zgjedhjeve-–-hapet-rruga-per-formimin-e-institucioneve

Sot në orën 11:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta mbajë një mbledhje, në rendin e ditës të së cilës është edhe certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Certifikimit të rezultateve i hapi rrugë Gjykata Supreme, e cila dje i refuzoi si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje tha të hënën se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re dhe se më pas do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e Presidentit. Mozgjedhja e Presidentit ishte shkaku që vendi mbajti në fillim të qershorit zgjedhjet e treta në rreth një vit e gjysmë.

“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Para rreth dy javësh, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një mbledhje të Qeverisë në detyrë e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.

Pasi arsyeja e zgjedhjeve të fundit parlamentare ishte moszgjedhja e Presidentit, nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, ka thënë ai për Gazetën Express më 16 qershor.

Ai thotë se Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë mandatarin e ri për kryeministër, duke qenë ushtruese e detyrës së Presidentit.

Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi afatin për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Komento: