Sot dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora

08:08 | 26 December 2024
sot-dita-e-fundit-per-regjistrim-te-votuesve-nga-diaspora

Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht do të përfundojë sot, më 26 dhjetor 2024.

Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë pasur mundësi të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë kësaj periudhe ka inkujaruar të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor Kosovë, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar.

Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen më 9 shkurt 2025.

Subjektet e mëdha tashmë ka kohë që kanë nisur parafushatën zgjedhore, derisa periudha e fushatës zgjedhore për partitë politike dhe kandidatët e certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të fillojë zyrtarisht më 11 janar, 2025.

Nga ato zgjedhje do të dalë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, që ka 120 deputetë.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Komento: