
Nexhmije Pagarusha sot feston ditëlindjen e 86 të saj.
Ajo njihet si bilbili i Kosovës dhe është një nga këngëtarët më të respektuara në vend.
Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha sot feston ditëlindjen e 86-të. Përgjatë këtyre viteve bilbili i Kosovës gëzon një karrierë të bujshme, përcjell rtv21.
Nexhmije Pagarusha gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut përmes artit.
Ajo asnjëherë nuk ka pranuar të këndojë diçka që i tejkalon vlerat shqipe e të lë pas dore muzikën e mirëfilltë shqipe, këtë më së miri e dëshmon anulimi i një koncerti në Maqedoni, ku i është kërkuar të këndojë në gjuhën serbe dhe artistja është larguar nga skena.
Nexhmije Pagarusha ka përfunduar shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo.
Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj.
Përveç muzikës ajo ka qenë edhe aktore. Ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer. Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.
