Sot i jepet lamtumira e fundit çifti që u privua nga jeta në Prizren

10:24 | 25 Janar 2020

Sot i jepet lamtumira e fundit.

Çifti nga Prizreni që u gjetën pa jetë në shtëpinë e tyre, do të varrosen sot.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tyre për media.

Pushimet e këtij viti dolën të ishin të fundit për Durim e Suada Hadrin, që jetonin e punonin në Suedi tash e sa vite.

Vetëm dy ditë pas ardhjes në Kosovë, çifti bashkëshortor u privua nga jeta, në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit.

Afër trupave të tyre u gjetën dhe u konfiskuan një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.

Por, se kush e kreu aktin dhe se cili ishte motivi, ende nuk po dihet.

I vetmi detaj që dihet deri tani është se çifti jetonin me djalin e tyre të vogël, A.H., i cili deri tani nuk dihet se ku ndodhet.

Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit deklarojnë se ata janë në kërkim të djalit të çiftit për të zbardhur rrethanat e rastit.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti, i ka thënë Express se viktimat kanë qenë duke jetuar së bashku me djalin e tyre të vogël A.H., i moshës 35 vjeç, i cili në ditën kritike nuk është gjetur në shtëpi.

Sipas informatave të policisë, ai dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka shkuar në Greqi. Deri tash, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saktë të tij.

“Në bazë të informatave të siguruara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi. Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.

Komento: