Sot i jepet lamtumira e fundit legjendës së boksit, Xhevdet Pecit

11:27 | 12 Maj 2022

Sot bëhet varrimi i legjendës së boksit, Xhevdet Peci.

Shteti i Kosovës dhe krejt shqiptarët do ta nderojnë sot veprën e legjendës së boksit, Xhevdet Peci, i cili ndërroi jetë ditë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për nder të tij dhe në kujtim të ish-boksierit të madh shqiptar, sot po mbahen homazhe në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ndërsa në mbrëmje do të mbahet edhe një akademi përkujtimore për ta kujtuar karrierën e Pecit.

Ndërsa, në orën 16:30 do të bëhet edhe varrimi i të ndjerit në fshatin Zhazhë në Komunën e Mitrovicës.

Xhevdet Peci ndërroi jetë në SHBA të hënën në moshën 67 vjeçare, shkruan “Gazeta Express”.

Ai njihet si “Grushti i hekurt”, ndërsa konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë.

Ka qenë kampion i ish-Jugosllavisë dhe kampion ballkanik, duke e çuar shumë lart klubin e boksit Prishtina në vitet e 70-ta dhe të 80-ta.

Sportistët dhe Federatat sportive i shprehën ngushëllime familjes dhe miqve të të ndjerit, ndërsa atë e kujtoi edhe kryeministri Albin Kurti.

Xhevdet Peci është një legjendë dhe emri i tij nuk do të vdesë kurrë.

Komento: