Sot i jepet lamtumira e fundit motoçiklistit që humbi jetën pas aksidentit në Gjilan

11:04 | 09 Gusht 2026

Lamtumira e fundit për Fatbardh Islamin, 28-vjeçarin që ndërroi jetë pas më shumë se një jave në gjendje të rëndë në QKUK, do t’i jepet sot në fshatin Shurdhan të Gjilanit.

Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të riut do të bëhet sot, të dielën, më 9 gusht 2026, pas namazit të ikindisë, në varrezat e fshatit Shurdhan.

Fatbardh Islami humbi jetën pas një aksidenti të rëndë trafiku që kishte ndodhur më 31 korrik, rreth orës 20:35, në fshatin Shurdhan.

Në aksident ishin përfshirë një Mercedes-Benz, që drejtohej nga një i mitur P.A., rreth 16-vjeçar, dhe një motoçikletë Suzuki pa targa, të cilën e drejtonte Islami.

Sipas informacioneve të rastit, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e një kthimi të pasigurt majtas.

Nga përplasja, 28-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Fillimisht ishte trajtuar në Spitalin e Gjilanit, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë ishte transferuar në QKUK në Prishtinë, ku po trajtohej në repartin e Mjekimit Intensiv.

Por, mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:05, Policia është njoftuar se Fatbardh Islami nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve dhe ka ndërruar jetë.

Për zhvillimin tragjik është njoftuar Prokurorja për të Mitur, e cila ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion.

Komento: