Sot janë të parapara 34 fluturime në Aeroportin e Prishtinës

16:11 | 28 Qershor 2020

Pas rihapjes, 34 fluturime të parapara të dielën në Aeroportin e Prishtinës.

34 fluturime janë paraparë për të dielën, në ditën e parë të rinisjes së punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Prej tyre,17 janë në arritje dhe 17 fluturime në shkuarje.

Zëdhënësi aeroportit, Bujar Gashi, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat për të rifilluar fluturimet.
“Sot gjatë gjithë ditës kemi rreth 34 fluturime, do të thotë është 17 janë në arritje dhe 17 do të shkojnë”, ka thënë Gashi për KosovaPress.

Të gjithë udhëtarët që do të udhëtojnë nga ky aeroport në hyrje duhet të tregojnë biletën, e që pastaj do të kalojnë përmes tunelit dezinfektues dhe më pas do t’u matet temperatura. Pasi të kalojnë këtë mund të futen në hapësirat e aeroportit.

Në brendësi të aeroportit janë vendosur shenjat për mbajtje të distancës, si dhe dezinfektues për duart.

Gashi ka thënë se nga qytetarët presin që t’i respektojnë të gjitha masat.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nga sot ka hapur dyert, në fakt kemi qenë gjithmonë të hapur por shkaku i pandemisë kemi funksionuar me staf të reduktuar. Janë disa masa që i kemi ndërmarrë të rekomanduara nga ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, e që ne si aeroport dhe të gjithë udhëtarët duhet t’i aplikojnë ato. Që nga hyrja, udhëtari duhet të tregojë një biletë e cila është valide për ditën e sotme, duhet t’i matet temperatura dhe më pastaj të kalojë në kabinën dezinfektuese”, ka thënë ai.

Aeroporti i Prishtinës për më shumë se tre muaj nuk ka pasur fluturime për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria për mbrojtje nga COVID-19.

Komento: