Sot lansohet Fondi Sovran i Kosovës, çka përmban?

09:54 | 07 May 2023

Çka është Fondi Sovran i Kosovës, i cili lansohet sot?

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill ka qenë në konsultim publik. Pas konsultimeve, është paraparë që të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Por, deri më tani nuk ka ndonjë informatë se çfarë ka ndodhur me të.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Në projektligj thuhet se Fondi Sovran do të menaxhojë me pasurinë e rëndësishme të Kosovës duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Por, ky ligj nuk zbatohet ndaj ndërmarrjeve publike në pronësi të drejtpërdrejtë të Republikës së Kosovës ose komunave.

Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran, disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:

Korporata Energjetike e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik “Trepça”, Trainkos-iInfrakos-i.

Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.

Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: Miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

Fondi Sovran, sipas projektligjit, po ashtu ka në funksion edhe themelimin e ndërmarrjeve të reja si dhe mund të investojë në tregje financiare dhe tregje të kapitalit brenda dhe jashtë vendit. /Klankosova

Komento: