Sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në veri të Kosovës. Qytetartët do të votojnë për kryetarin e ri në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në këto dy të fundit votohet edhe për asamble.
Nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se ka filluar zbatimi i planit operacional, siç ishte planifikuar, për të siguruar zgjedhje të qeta dhe të sigurta.
“Policia e Kosovës (PK), siç e ka bërë të ditur me kohë ka bërë planifikimet e saj operacionale duke ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme policore në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës”, bën të ditur komunikata.
“Zbatimi i planit operativ është duke u realizuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë procesit të votimit sot, siç e quajmë në ditën (z), ku janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm”, thuhet tutje.
Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 360 vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen të dielën në veri të Kosovës.
Numri i vëzhguesve që përfaqësojnë subjektet politike është 75, në emër të organizatave jo-qeveritare numri është 109, ndërsa dy vëzhgues përfaqësojnë një ambasadë.
Për këtë proces zgjedhor janë akredituar edhe një numër i mediave vendore dhe ndërkombëtare, me më shumë se 170 përfaqësues.
Gjithashtu, Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.
Në njoftimin për media u bë e ditur se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.
“Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj”, thuhet në njoftim.
Bashkimi Evropian një ditë para zgjedhjeve ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.
BE-ja po ashtu sërish ka shprehur zhgënjimin për bojkotimin e zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – dhe ka thënë se është e domosdoshme që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.
E i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ditë më parë deklaroi se zgjedhjet në këto komuna do të njihen nga ShBA-të, përkundër refuzimit të Listës Serbe për të marrrë pjesë. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovernier.
Edhe ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët kanë kërkuar që zgjedhjet në veri të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një mesazhi u bëri thirrje serbëve në veriun e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës pavarësisht, siç tha, kërcënimeve dhe frikësimeve nga strukturat kriminale të mbështetura nga Beogradi.
Presidentja Osmani tha se “pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’i frikësojnë dhe shtypin” duke nënvizuar se institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të tyre për të ofruar siguri.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka bërë thirrje për qytetarët të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje dhe të mos lejojnë kërcënimet dhe presionin e Serbisë ndaj komunitetit serb.
Sveçla ka shprehur shqetësimin e tij për kërcënimet e vazhdueshme ndaj serbëve që jetojnë në pjesën tjetër të vendit dhe ka akuzuar strukturat ilegale e kriminale të drejtuara nga Beogradi për këto sulme.
Ai ka shtuar se qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre dhe janë kërcënuar, sulmuar dhe diskriminuar në mënyra të ndryshme.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, ndërsa nuk merr pjesë Lista Serbe.